Turqia mund të kërcënojë me lirimin e mijëra të burgosurve të ISIS-it në përpjekje për t’i bërë presion Evropës lidhur me propozimin kundërthënës për zonën e imigrantëve.
Lajmi shqetësues vjen pasi presidentit turk iu hap rruga nga Shtetet e Bashkuara që t’i dërgojë trupat në pjesën verilindore të Sirisë dhe për ta marrë përgjegjësinë për gjendjen e 15 mijë xhihadistëve të burgosur.
Erdogan për një kohë të gjatë e ka kërkuar një zonë sigurie në mënyrë që vendi i tij ta kontrollojë një territor prej 20 miljesh brenda pjesës së Sirisë përgjatë kufirit prej 300 miljesh mes dy vendeve.
Ai ka thënë se kjo zonë do të shërbente për kthimin e së paku një milion refugjatëve sirianë, të cilët tash për tash janë duke jetuar në Turqi.
Lideri turk tashmë ka kërcënuar se do ta dërgojë një valë imigrantësh drejt Evropës, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk e përkrah nismën e tij.
“Ata thonë se ka të burgosur të ISIS-it nga Franca, Gjermania dhe vendet tjera. Ata thonë se nuk duan t’i kontrollojnë, se nuk mund të kujdesen për ta”, tha Erdogan.
Fjalët shqetësuese të Erdoganit erdhën pasi presidenti amerikan gjithashtu kërcënoi se do t’i lirojë mijëra xhihadistë nëpër rrugët e Evropës, nëse aleatët refuzojnë t’i marrin terroristët e tyre.
Ai tha: “Nëse Evropa nuk i merr ata, atëherë nuk kam zgjidhje tjetër pos t’i liroj për në vendet nga kanë ardhur, siç janë Gjermania, Franca dhe vendet tjera”, shkruan “The Sun”.