“Do të dëshiroja të flisja për vdekjen, vdekjen si përvojë” – ishin fjalët e autoti, fjalë të cila edhe tridhjetë vjet pas vdekjes, shkrimtari vazhdon të na pyesë. Me faqet e tij mbi politikën dhe drejtësinë. Me heshtjet e tij. Dridhja më autentike e tij. Leonardo Shasha lindi në Racalmuto, në provincën e Agrigentos (asokohe Girgenti), më 8 janar 1921. Është një nga shkrimtarët më të mirë të shekullit XX, polemist dhe gazetar, një eseist i shkëlqyer, një pikë referimi në politikë për disa breza, e shndërroi Siçilinë dhe problemet e saj në metaforë letrare, në gjendje të përshkruajë çdo pjesë të botës./Konica.al
Po ashtu, krijimtaria e tij paraqet një pikë referimi për atë rrymë letrare jofiktive që përbën përkufizimin e “realizmit kritik”. Debutimi i tij letrar është më 1950. Ndër veprat më të njohura, të botuara në dhjetëra gjuhë, përmendim: “Famullitë e Regalpetrës”, “Dyer të hapura”, “Këshilli i Egjiptit”, “Vdekja e inkuizitorit”, “Konteksti”, “Todo Modo”, “Secilit hakun”, “Dita e kukuvajkës”, “Dajat nga Amerika”, “Stendali dhe Sicilia”, “Shtriga dhe kapiteni”, “Alfabeti pirandelian”, etj.
Pretendonte të drejtën për të kundërshtuar dhe për ta kundërshtuar, por gjithnjë duke i qëndruar besnik kredos së tij: të përballej me parregullsitë e realitetit, duke u përpjekur ta deshifronte atë përmes fjalëve, në një përpjekje të furishme për t’u afruar sa më shumë me një formë të së vërtetës. Kush e njohu, e mban mend si një burrë të rezervuar, por këmbëngulës, me një intuitë të hollë, fjalëpakë dhe pauza të gjata, të cilat nuk ishin tjetër veçse “një koracë mbrojtëse kundër iluzioneve”. Një iluminist volterian, që në shtegtimin e vet arriti nivele shumë të larta skepticizmi. Natën e parë kur u takua me Elvira Saleiro, në darkë, ajo i rrëfeu dashurinë që ajo kishte për Pasternakun, sepse në atë kohë dukej se nuk flitej për tjetër gjë veç doktor Zhivagos, libër i sapodalë nga botimi. “Nuk i lexoj librat kur flitet shumë për to, – u përgjigj shkrimtari nga Racalmuto. – I lexoj më vonë”. Vërtet Shasha ishte një antikonformist, por jo në nivele intelektuale apo qëndrime snobiste si elitë kulturore, përkundrazi sa i përket mënyrës së arsyetimit dhe të menduarit, ishte gjithnjë një hap përpara krahasuar me të tjerët, shpesh me koston e keqkuptimit, siç ndodhi rëndom. Megjithatë, gjithmonë i lirë nga kufizimet e grupimeve, sikundër ndodhi me mikun e tij Renato Guttuso, miqësi që përfundoi duke u prishur. “Bindja e tij ndaj parimeve ose më saktë, ndaj një parimi, ishte e përsosur, – do shkruante Shasha. – Jeta e tij ishte krejt tjetër, ndjenjat dhe mendimet e tij ishin krejt të ndryshme… përkundrazi ai pretendonte se kundërshtimi do kuptohej dhe mbase do lavdërohej. Çfarë, në një moment, na çoi në një çarje që na bëri të vuajmë të dy”.
Giorgio Bocca, një nga kritikët e tij të mëdhenj shprehet: “Në të vërtetë, gabimi i Shashës është të ekspozojë tezat e tij, të kritikojë, të bëjë hipoteza që janë jashtë palëve kundërshtare, që nuk përshtaten as me dogmat e antimafies, as me hipokrizinë dhe joshjet e mafies. Pas intuitës së tij të mprehtë, ai shpesh tregonte atë që ne nuk dinim ose nuk donim të shihnim”. Përtej polemikave të vjetra, për t’u kataloguar në skedarët e shekullit të kaluar, disa nga librat më të bukur dhe profetikë të shekullit XX, mbeten të shkrimtarit sicilian. Të tilla si “Dita e kukvajkës”, ku për herë të parë fenomeni mafioz u përshkrua si diçka që nuk zhvillohet në vakumin e shtetit, por është “brenda” shtetit, apo “Todo Modo”, një alegori e fuqishme dhe groteske që përshkruan mekanizmat e turbullta të pushtetit të politikës italiane. “Mendoj se jam eseist në historinë dhe rrëfimin e esesë”, – shprehet Shasha./Konica.al
“Secilit hakun” është një tjetër libër, ku me një stil të matur, të hidhur, pak sarkastik, por mjaft të qartë dhe të kursyer në përshkrime, romani fillon me rrëfimin e historisë së një farmacisti që “jetonte i qetë, nuk kishte pasur kurrë probleme e nuk merrej me politikë”, por që një ditë prej ditësh merr një letër anonime, ku kërcënohet me vdekje.
“Dita e kukuvajkës”, – një roman që qëndron saktësisht në gjysmën e rrugës midis narracionit dhe trillit. Sfondi i verdhë, në të vërtetë, është mbi të gjitha një pretekst për të fotografuar dhe treguar një realitet shumë të ndërlikuar, madje të nënvlerësuar nga trillimet dhe politika kombëtare. Botuar në vitin 1961, ai mbetet një dëshmi themelore, roman që i zbuloi Italisë mafien, të cilën e deklaroi në mënyrë të qartë dhe pa frikë se kjo ekziston, në një moment historik, fillimi i viteve gjashtëdhjetë, për të cilën në të vërtetë dihej fare pak. “Dita e kukuvajkës” është historia e një oficeri të Carabinieri të Parma, Kapiten Bellodi, i cili e gjen veten në Siçili duke hetuar një vrasje mafioze. Armiku me të cilin përballet ka një forcë të paimagjinueshme, që ushqehet nga frika dhe heshtjet e ndërlikuara dhe laike./Konica.al