MENU
klinika

"Prefekti"

Çfarë ka treguar Qazim Mulleti “i vërteti” kur takoi Ismail Qemalin

22.11.2019 - 12:26

      Gjuhën shqipe (pas 1900-ës) e kemi mësuar tinëzisht, për arsye se xhonturqit nuk e mbajtën premtimin për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe u informova se, në Tiranë gjendej një shkollë që mësonte në gjuhën shqipe më pretendimin se mësohej gjuhë e huaj. Me anë të Hasan Beshirit, hyra në këtë shkollë dhe kjo ishte shkolla e Filip Ashikut (“Locant Cang”), ku për tre muaj rresht, mësova alfabetin e gjuhës shqipe duke bërë italisht, frëngjisht e gjermanisht, me fjalorin e At’ Jak Cungut të 1805-ës dhe veprave të Gjergj Fishtës. Po kështu, më 1907-ën, në gjimnazin e Durrësit u lejua mësimi i gjuhës shqipe.

Klubi jonë “Bashkimi” i përbërë nga Shefik Kondi, Zyber Bakiu, Xhemal Kondi, Mahmut Fortuzi, Mustafa Mara, Zelka, më vonë Qazim Nekiu, Ferit Dervishi, etj, patën përballë reaksionet e fanatikëve. Filloi një luftë e fortë ndërmjet shqiptarëve nacionalista dhe halldukëve (itihatxhit). Grupi jonë, sado i vogël në numër, por moralisht i fortë në çdo vend a mbledhje zhvillonte propogantë të fortë për hapjen e alfabetit të gjuhës kombëtare me gërma latine dhe u quanim latinxhinjtë. Me komshinjtë, pothuaj në çdo natë u mblidhnim në shtëpinë tonë pas darke, ishim gjithmonë për përhapjen e shkrimit të gjuhës shqipe me alfabetin latin dhe në çdo katund e qytet që shkonim këtë propagandë bënim. Entuziazmi dhe dashnija për kombin m’u forcua në 1909-ën kur këndova “Lahutën e Malcis”. Pas mbylljes së Klubit “Bashkimi” nga xhonturqit, vendin e tij pothuaj e zuri një odë e Hysen Kukaleshit. Kjo odë historike për nacionalistat e Tiranës, ishte bërë çerdhja jonë, ku pothuaj çdo natë u mblidhnim dhe këndonim gazeta ose këngë kombëtarë me këto shokë: Xhaferr Stërmasi, Mahmut Fortuzi, Beqir Luga, Et’hem Luga, Zyhdi Këlliçi, Sait Kavaja, Qazim Mulleti, Shefik, Xhemal e Rexhep Kondi, Mustafa Mara, Hafiz Ibragimi, Shim Ndroqi, Zelka, etj. Duhet kujtuar se shumë herë fanatizma ishte kaq e fortë ku halldupët i rrahnin njerëzit me dajak.

 

Në odën e Hysen Kukaleshit, për herë të parë kam parë Flamurin Kombëtar kuq me shkabën e zezë dy krenare në mes, të cilën e kishte pru me vedi Mahmut Fortuzi, me këtë rast prej entuziasmit mbeta shumë i prekur dhe me lot në sy e putha. Atë natë nuk fjeta prej gëzimit që ndjeja. Në vitin 1910-11, kur u bë operacioni i Dërgut Pashës kundër nacionalistave shqiptare, në Tiranë u burgosen më shumë së 60 nacionalista, ku prej të cilëve u rrahën në rrugët e Tiranës shokët tanë Hafiz Ibrahim Dalliu, Ali Efendi Kukaleshi, etj. Unë më i riu ndër to, porsa pashë që u rrethua shtëpia ime nga një patrullë ushtarësh, arrita të ikja e të largohesha. U arratisa dhe shkova në katund, ku qëndrova 3-4 ditë. Pas despotizmit të Dërgut Pashës, ishim të mërzitur shumë dhe pritnim rastin me ju kundervënë atyre.

Në pranverë të vitit 1912, krisi Revolucioni i Kosovës me në krye Hasan Bej Prishtinën dhe Kryengritja e Shqipërisë së Mesme në malin e Sari Salltikut të Krujës, nën kryesinë e Abdi Bej Toptanit, Refik e Masar Toptanit. Unë, megjithëse i ri në moshë, u bashkova me kryengritësit, morëm me vete dhe një fshatar, Dem Farka, e shkuam në malin e Krujës. Kur mbërritëm në katundin Bilanja (çeflig i Masar Toptanit) marr vesh se kryengritësit kishin shkuar në Skure (Kurbin). Me ndihmën e qajajit të Masar Toptanit, Z. Ndrei që më shoqëroi me dy njerëz dhe mora rrugën për Skure ku mbërrita në shtëpinë e Gjin Pjetrit (axha i Preng Previzit). Këtu njoha, djalë të vogël Preng Previzin ku kishte ardh nga Shkodra ku bënte shkollën e bashkë kënduam Lahutën. Nga aty Gjon Pjetri më përcolli dhe arrita në Orosh të Mirditës, në shtëpinë e Preng Pashës. Atje së bashku me Idriz Vlorën marr vesh se Shefik Kondi ishte plagosur aksidentalisht, sëbashku dolëm në Mal të Bardhë në Milot.

Pasi qëndruam 5-6 ditë, u bashkova me çetën e Refik Toptanit, i cili ishte i përmendur për aktivitet patriotik. U ngarkuam dhe shkuam në bregun e Matit për me i ba ballë një ushtrie që po vinte prej Shkodre kundër kryengritasve. Mbas disa ditëve erdhëm bashkë me Refik Begun dhe u takuam me Shefik Kondin, Maliq Meren (Myrtën) burrë trim prej katundit Priskë e Madhe Tiranë. Maliqi bashkë me Haxhi Ferren ishin çu prej Jusuf Elezit me prit në rrugën e Durrësit për me vra prokurorin e Tiranës Sali Bej, i cili ishte një xhonturk i tërbuar kundër shqiptarëve në kohën kur erdhi ushtria e Dërgut Pashës në Tiranë veproi shume keq kundër nesh por fatkeqësisht ky kishte kalu përpara se me mbërrit Maliqi dhe Haxhiu. Unë fola me Maliqin (i cili ishte mik i ngushtë i babës tem) vendosëm me hy në Tiranë për më mujt me vra Musa Beqarin, i cili ishte kryetar i halldupëve.

Qëndruam në Tiranë 5 ditë fshehtas por nuk mujtëm me bë gjë. Musa Beqari ato ditë nuk dilte në shesh dhe nuk flinte në shtëpinë e tij prej frikës. Manej dola prap dhe u bashkova me çetën e Masar Toptanit në Bilaj. Pasi nji muaji u bë Marrëveshja e kryetarëve të Kryengritasve të Kosovës me Qeverinë e Stambollit dhe Kryengritja Nacionaliste mori fund duke fitu 14 pikat e çështjes shqiptare si delegat të Shqipërisë së Mesme patëm marr pjesë dhe shku në Shkup Abdi Toptanin, Mustafa Kruja dhe unë. U kthyem në Tiranë, por duhet të përmend se të gjithë fanatikët, halldupët na shikonin me sy të keq pasi kishim luftuar kundër ushtrisë së babës.

Pas pak ditëve, u shpall Lufta Ballkanike dhe pjesa më e madhe e Shqipërisë u zaptua prej Serbisë. Me 23 Nëntor 1912, ushtria Serbe kaloi bregun e Matës dhe me 24 u fut në Krujë dhe kështu u dha alarmi në Tiranë. Në fillim u mendua me dalë me luftu dhe Refik Toptani mori iniciativën me iu pri popullit në këtë luftu, më thirri dhe mua dhe unë bashkë me të dhe disa miq të mi u përgjigjëm jemi gati. Një komision prej parisë së qytetit shkuam u takuam me komandantin e një regjimenti turk që kishte ardh një ditë më parë prej Elbasanit. Ishte komplet i armatosur me mjete moderne. Komandanti në fillim u përgjegj se ishte gati me luftu bashkë më popullin dhe u nis e zuri kodrat e Prezës dhe të Vorës. Populli shkoi me luftu, kur më vonë mori vesh se ushtria turke nuk kishte ndaluar aspak në vendet strategjike dhe kishte marrë rrugën për Kavajë. Atëherë u kuptua se qëndrimi ishte i pamundur kundër ushtrisë serbe pasi ishte e pajisur me topa e mitraloza e mjete moderne.

kolana e librave

Pasi u la luftimi, atëherë ne nacionalistat e Tiranës u mblodhëm në shtëpinë e Refik Toptanit me shpall Lirinë e Shqipërisë, me ngritë Flamurin Kombëtar, manej u bë një mbledhje e madhe në Beledije ku morrën pjesë dhe halldupët (itihatxhit), të cilët prej zorit e frikës me lot ndër faqe pranuan propozimet tona e kështu me 26 Nëntor, pasdite u ndriçua me Flamurin Kombëtar ndërtesa e Bashkisë dhe e Nënprefekturës së Tiranës. Gëzimi jonë ishte i pashembullt. Të gjithë ne, nacionalistët shqiptarë filluam këndonim këngë patriotike por, fatkeqësisht Flamuri s’pat jetëgjatësi, se më 27 hyri ushtria serbe dhe e dogji. Unë, Cen Kukaleshi e Mahmut Fortuzi shkuam në Vlorë me flamurin tonë kombëtar. Të nesërmen u pritëm në audiencë prej plakut të madh Ismail Qemalit, e aty mu propozu me marr një shërbim dhe kështu me urdhrin që më dhan në dorë qesh emnu si Nënkomisar i Prefekturës së Durrësit. Me këtë urdhër iu paraqita prefektit Hamdi Toptani, i cili mu përgjegj se duhet me prit pak ditë. Prefekti nuk kishte dëshirë me bashkëpunu me mu, edhe unë kështu vazhdova rrugën time.

Në kohën e okupacionit serb që zgjati 6 muaj, nacionalistat shqiptare u ndoqën nga autoritet serbe, një pjesë e madhe u burgosën si Shefik Kondi dhe vëllëzërit e tij, Xhemali e Rexhepi u arratisën. Më 29 Dhjetor, në një natë të ftohtë rreth orës 12.30 të natës, një detashment ushtarësh serb prej 200 vetësh bllokuan dhe rrethuan shtëpinë tonë, ku atë natë ishin mysafir tek ne Zyber Këlliçi, Ali Mulleti, Rexhep Nizami, Luman Vora dhe dy katundarë të tjerë që nuk i mbaj mend emrat. Shkaku dhe rezultati i bllokimit të shpisë ishte: unë atë natë kisha ardhur prej Durrësit, ku kisha shkuar vetëm me qëllimin me marr vesh ndonjë lajm për fatin e Shqipërisë së mjerë. Në Durrës shkova në Kishën Katolike, e cila ishte çerdhja e nacionalistave ku takova Don Frano Gjinin (në vitin 1946 u pushkatua nga komunistat) të cilin e kisha njohur në Orosh në pranverë të vitin 1912 ku ishte në krah të kryengritësve. Ky më priti me një gëzim të madh dhe më lajmëroi se është vendosur nga ndërkombëtarët vetëqeverimi i Shqipërisë.

Duhet ditur se Kisha Katolike e Durrësit ishte nën survejimin e serbëve. Aty takova dhe dy italo-shqiptarë prej të cilëve njërin e quanin Belucci, gazetar dhe këto vërtetojshin vendosjen e indipendencës kombëtare. Bile, z. Belucci më dha një letër për Refik Toptanin. Në Durrës takova dhe Mahmut Bashirin i cili ishte dragoman (përkthyes) i Konsullatës Autriake në Durrës dhe ky më dha sihariq se independeca e Shqipërisë u njoh nga ndërkombëtarët dhe duhet të lajmëroja të gjithë shokët në Tiranë se për pak ditë serbët do largoheshin prej tokës arbnore. Gazetari italian z. Belucci më dha dhe disa gazeta italisht që shkruanin mbi indipendecën e Shqipërisë dhe sidomos gazetën Papagalli Ilustrate, e cila paraqiste Shqipërinë si vajzë të re dhe të bukur e cili dilte nga zinxhirët e robnisë. Unë të gjitha këto, natyrisht të ndalume prej autoriteteve serbe dhe prej gëzimit të madh, pa marrë parasysh rrezikun që mund të më gjente, i prura me vete dhe ja dëfteva të gjithve që ndodheshin në shtëpinë tonë. Pas mesit të natës, kur u ndanë me shku në shtëpitë e tyre, Rexhep Nizamit, një zë shqip thotë: shko lajmëro Reshit Beun dhe Qazimin se janë të rrethuar dhe çdo letër dhe çdo gjë të kompromentume që të kenë ti fshehin. Keto fjalë ja kishte then Ismail Grepsa, i cili për nevojë jetesë kishte mbetur nën shërbimin e xhandarmërisë serbe, por zemra i digjte dhe na ndihmonte ne.

 

Atëherë une grisa dhe zhduka të gjitha letrat dhe gazetat që kisha sjellë prej Durrësit. Pas pak minutash komandanti i qendrës i cili ishte dhe nënprefekt i Tiranës, me 50 ushtarë hyn brenda në shtëpinë tonë dhe thot: kush është Reshit Mulleti dhe djali i djali i tij Qazimi. Baba im i shkretë i përgjigjet: unë jam dhe prapa tij isha dhe unë. Komandanti jep urdhër ushtarëve me çu bajonetat, prej të cilëve rreshti me revolver në dorë na kërcënonte, sidomos babën duke i thën këto fjalë: ‘Nemseli shqiptarë, a e dini ç’ju bëj. Ju jeni agjenta të Austrisë, etj, etj’. Pjesa tjetër e ushtarëve u futën brenda nëpër dhoma duke kontrolluar shpinë. Si mbaroi kontrolli, mua dhe babën na morën dha na çuan në Prefekturë, ku vetë prefekti na mori në pyetje. Pyetjet ju drejtonin më tepër babës, ku sipas mendimin tem spiuni në Durrës ishte podgorican prej Durrësi, kishte gabuar emrin tem me atë të babës dhe ju drejtonin babës që ke qenë në Durrës, në Konsullatën e Autrisë, në Kishën Katolike dhe je takuar me dy italian. Baba me të drejtë mohonte të qenurit në Durrës dhe gjithë të tjerat, se në të vërtetë kisha qenë unë, jo ai. Me ndërmjetësinë e z. Nikoll Nishku edhe Man Lasku, etj, ortodoks të Tiranës, që ishin të besueshëm prej komandantit të serbëve, u liruam nga burgu me konditë mos me prit mysafir në shtëpi dhe me u paraqit çdo ditë në komandë. Pas disa kohësh ikën serbët dhe filluan rebelimi, Lëvizja e Haxhi Qamilit, ngjarjet me Esat Pashën, etj

Shënim: Në kohën e ngritjes së Flamurit isha 20 vjeç. Gjithë shkollat i kisha kryer me rezultate të shkëlqyera si në Manastir, si në Zosimea dhe Kolegjin Elitar të Perandorisë Turke i kam kryer me rezultate të larta dhe kam qenë i pari në shkollë, shumë herë kam kapërcyer vitet, e prandaj unë isha shoku më i ri./Konica.al

 

Nga: Memorie.al