Kosova vijon të bëjë jehonë në mediet europiane dhe jo vetëm. Gazeta e njohur zvicerane ‘Neue Zürcher Zeitung’, ia ka kushtuar një shkrim të veçantë përfaqësueses së Kosovës në futboll dhe përparimit të saj të shpejtë.
Me titullin “Futbollistët e Kosovës dikur laheshin në lumë, tani mund të kualifikohen në Kampionatin Evropian”, e përditshmja zvicerane e përshkruan të gjithë periudhën e futbollit kosovar nga koha e okupimit nga Serbia e deri te lulëzimi i tanishëm.
“Shteti më i ri në Evropë, është në prag të suksesit më të madh në histori të futbollit, – shkruan gazeta në fjalë.
Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, dhe kryetari i klubit të tifozëve “Dardanët’, Lulzim Berisha, kanë folur për këtë gazetë, duke treguar vuajtjet dhe flijimet e kosovarëve për ta pasur një kombëtare sot.
Salihu në veçanti foli për mënyrën se si kosovarët asnjëherë nuk hoqën dorë nga futbolli, edhe atëherë kur Policia e Serbisë kishte arrestuar lojtarët në fushë.
Ai madje zbuloi se si e kishte refuzuar kërkesën e kriminelit famëkeq serb, Zeljko Raznatovic, i njohur më mirë si Arkani, për të luajtur për Prishtinën në kohën kur vendi ishte i okupuar nga Serbia.