MENU
klinika

Ankohen banorët

Librazhd, çmimi i druve i papërballueshëm

17.11.2019 - 15:47

Në Librazhd çmimi i druve këtë vit është rritur me 1 mijë lekë për metër kub. Banorët ngrenë shqetësimin se e kanë të pamundur përballimin e çmimit të lartë.

Dimrin e ftohtë në Librazhd banorët e përballojnë përmes ngrohjes me lëndë drusore, por këtë vit kjo alternativë do u kushtojë më tepër.

Një metër kub dru shkon 45 mijë lekë, gati 1 mijë lekë më shumë se një vit më parë.

“45 mijë, transporti dhe prerja shkon 60 mijë. Ne do ta përballojmë se pa dru nuk rrihet”- thotë një banor.

Shqetësim çmimi i lartë përbën më shumë për pensionistët por edhe personat që trajtohen me ndihmë ekonomike. Të ardhurat për ta janë të pamjaftueshme për të përballuar blerjen.

“Unë jam invalid, marr 64 mijë lekë të vjetra dhe kam marrë borxh për të blerë drutë”- shton një tjetër banor i Librazhit.

Banorët që ndodhen në vështirësi kërkojnë nga bashkia që lënda drusore e sekuestruar dhe që shpesh përfundon e kalbur në pyje të shpërndahet për ta me gjysme çmimi. Nënkryetari i Bashkisë Librazhd thotë se kjo është e pamundur për shkak të procedurave që kërkojnë shumë kohë.

“Kemi goxha material drusor që është sekuestruar, por nuk e përdorim. Një mënyrë do ishte shpërndarja e familjeve që janë në nevojë”- vijojnë banorët.

Ulja e temperaturave dhe afrimi i stinës së dimrit ka sjellë rritje të çmimit të druve thuajse në të gjithë vendin.