MENU
klinika

Premier League, java 13

Mourinho e nis me “marsh të tretë” te Tottenham

23.11.2019 - 15:37

Jose Mourinho e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventurën e re në krye të Tottenham, teksa ekipi i tij ka fituar derbin 3-2 në transfertë ndaj West Ham.

Pjesa e parë ishte përcaktuese në këtë takim, me “Gjelat” që shënuan në minutën e 36-të dhe 43-të, fillimisht me anë të Heung-Min Son dhe më pas me anë të Lucas Mouras, duke çuar në pushim ekipin e tyre me avantazhin 0-2.

Fraksioni i dytë nisi në mënyrë perfekte përsëri për të besuarit e Mourinhos, teksa Harry Kane shënoi golin e tretë. U mendua se gjithçka u mbyll, por vendasit u zgjuan në minutën e 75-të, ku shënuan me anë të Antonios.

Në minutën e 97-të pati vend edhe për një gol të Ogbonas, me sfidën që u mbyll me shifrat 2-3. Triumf në debutim për Mourinhon, me Tottenhamin e tij që ngjitet në vendin e gjashtë në kuotën e 17 pikëve.