MENU
klinika

Gjeniu i gjymtuar

Nëse flinte me ndonjë prostitutë, kjo ngaqë ishte i dashuruar…

24.11.2019 - 16:57

        Piktor i madh është ai që ju bën të rriteni dhe ju godet me shuplakë, si për t’u sjellë në vete, në çastin kur mendonit se dinit gjithçka për të, nisur nga motivet e folklorit dhe ndonjë thashethemnajë. Prej 9 tetorit 2019 deri në 27 janar 2020  në “Grand Palais” në Paris vijon të qëndrojë e hapur ekspozita “Toulouse-Lautrec, padyshim modern”, ku janë prezantuar rreth 200 tablo, i cili sjell një këndvështrim njëherazi serioz dhe komik sa i përket jetës së natës pariziane dhe kënaqësive të tij në fund të shekullit XIX. Një retrospektivë e begatë dhe tronditëse për t’u zbuluar./Konica.al

Toulouse-Lautrec pikturon lirshëm natyrën e panënshtruar të femrës, festat dhe harbimet e akrobateve dhe grave galante të Belle Epoque. Një pikturë e diskutueshme asokohe, e cila kurrë nuk ngatërron dhimbjen dhe viktimizimin. Cilat janë femrat e panjohura të pikturuara nga Toulouse-Lautrec? Punëtoret, prostitutat, pijanecët, artistët anonimë, kalimtarja enigmatike e kabinës 54? Toulouse-Lautrec piktori i teatrove dhe bordellove, i cili eksploroi shoqërinë e spektakleve, ku netët janë më të bukura se ditët, pararendës i lëvizjeve avangarde të shekulli XX, siç është futurizmi. Rridhte nga një familje aristokrate e Languedoc. Edhe pse frekuentonte operën dhe botën mondane, ai parapëlqen atmosferën e shkartisur të kabareve. Ai i pikturonte me admirim dhe pasion. Madje, nëse i ndodhte të flinte me ndonjë prostitutë, gjë e pranueshme, ndodhte ngaqë ai ishte i dashuruar. Toulouse-Lautrec i shikonte këto femra me dhembshuri dhe, me siguri po ashtu kanë vepruar edhe ato, pasi ai gjeti në këtë mjedis një mënyrë për t’u pranuar paaftësia e tij fizike, një gjymti nga një sëmundje gjenetike. I zemëruar me familjen, një nga familjet më të vjetra aristokrate franceze, Henri de Toulouse-Lautrec jetoi artin e tij. Sidoqoftë, art që është vlerësuar sa edhe është kritikuar. Në fund të rrugëtimit të jetës së tij sifilitike dhe zhytur në alkool, ai do të kthehet të vdesë, në moshën 37-vjeçare, në kështjellën e së ëmës.

Shpeshherë në tablotë e tij ka përfaqësuar artistët e famshëm të epokës kur jetoi: Jane Avril, la Goulue në “Moulin Rouge” ose Yvette Guilbert në kafe-koncert… Përbri këtyre figurave të shquara femërore, ai vizatoi dhe pikturoi shumë anonime nga të gjitha mjediset, por më me dëshirë ato të shtresës popullore. Karaktere intensive dhe magjepsëse, që shprehin gravitet. Lautrec fikson siluetat emblematike të atyre që i japin jetë natës dhe skicon mënyrën e jetës bohemiane  pariziane në fund të shekullit XIX.  Nuk kemi as dyshimin më të vogël që ai njihet më shumë nga legjenda, sesa nga krijimtaria. Lindur në Albi më 24 nëntor 1864, ai është shndërruar në një nga artistët e lidhur ngushtë me jetën pariziane. E shohim gjithandej! Në Monmartrë, ku ai banon, në Shamps-Elize, ku zhvendoset me banim, në “Moulin Rouge”, ku ai kalon netët./Konica.al

Arti i Lautrec u formua në imitimin e një realiteti të shndërruar kryekëput në shfaqje, por në të ai vetë është ngjitur me një art të kultivuar dhe prestigjioz. Aktorët e tij e kanë merituar lavdinë e tyre, sado i hidhur qoftë fundi. Në çastin e shkëlqimit të tij, kjo lavdi ishte plotësisht e justifikuar. Nuk ka perëndeshë mitologjike apo princeshë të historisë, që të jetë celebruar me aq krenari, hijeshi dhe madhështi, se sa La Goulue duke hyrë në “Moulin Rouge”, e paraqitur në një pikturë të vitit 1892.

Të vdesësh në të njëjtën moshë si Van Gogu nuk të siguron një biletë falas për në panteonin e gjenive. Mirëpo, koincidenca të magjeps, për më tepër kur djaloshi i nënshtruar jepet pas pijes dhe frekuentimit të jetës së shfrenuar. Dhe ai vërtet e siguroi atë vend falë gjenisë së jashtëzakonshme.

U mor gjithashtu edhe me afishet, përmes të cilave shprehte shijen e tij për skenat e jetës moderne, nga biçikleta te makina. Kështu, ai krijoi në vitin 1896 një afishe reklamuese për Zinxhirin “Simpson”, me një skenë velodromi. Toulouse-Lautrec nuk ishte i sjellshëm kur pikturonte, mbi të gjitha ishte një punëtor i palodhur me 737 piktura, 275 akuarele dhe 5 000 vizatime. Lautrec ishte edhe ilustrues dhe piktor afishesh për botën e kabareve dhe kafe-koncerteve. Artisti është klasifikuar në rangun e post-impresionistëve, në të njëjtin titull si Gauguin dhe Van Gogh. Në të gjallë të tij, puna e Lautrec mbeti për një kohë të gjatë e pakuptueshme nga bashkëkohorët./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit