MENU
klinika

Lasgushi i vetëm

Nuk shuhet, një poet!

12.11.2019 - 12:21

     Poeti lirik, gjenial, i vargut në gjuhën shqipe, shkrimtar dhe përkthyes, Llazar Gusho, njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi në Pogradec më 27 dhjetor 1899 dhe u shua në Tiranë, më 12 nëntor 1987.

Poeti i liqerit, dremitjes, vetvetes të zhytur në thellësitë e kohëve, trazuar nga dallgët e dashurisë – asaj dashurie që depërton thellë në shpirt, për të mbetur aty përjetësisht, apo për të zënë vend në vargjet e poezisë së tij unike, të padepërtueshme e të ndriçuar njëherësh, poezisë që ka në çdo shkronjë një notë muzikore nga thellësitë e universit – poezisë mistike që i këndon njerëzores në nivelet më të larta të saj, në dimensionet e përjetësisë deri në transhendencë./Konica.al

Lasgush Poradeci u lind në një familje me tradita atdhetare. Në moshën 10-vjeçare, prindërit e dërguan për të vazhduar studimet në Manastir dhe më vonë në Athinë, ku mbaroi liceun.

Më 1921 ai shkoi në Rumani, për të ndjekur studimet e larta. Duke qenë pa bursë dhe pa asnjë ndihmë, ai u detyrua të punonte dhe njëkohësisht të studionte. Në Bukuresht, ai u lidh me Lëvizjen Atdhetare të Kolonisë Shqiptare, u miqësua me Asdrenin e atdhetarë të tjerë shqiptarë dhe u zgjodh edhe sekretar i përgjithshëm i Kolonisë. Në verën e vitit 1924, Qeveria e Fan Nolit i dha bursë dhe kështu arriti t’i përfundojë studimet e larta në Grac (Austri), në Fakultetin e Filologjisë romano-gjermane.

Ndryshe nga poetët e Rilindjes, që megjithë origjinalitetin, i bashkonte fryma patriotike e kohës, poetët e shquar të periudhës së Pavarësisë: Noli, Fishta, Poradeci, Migjeni, janë krejtësisht të veçantë nga njëri-tjetri, si nga formimi, prirjet, ashtu edhe nga interesat e synimet.

Poradeci e jetoi Rilindjen, në periudhën e shpërthimit të kryengritjeve të mëdha për liri. Në veprën e këtij liriku të madh të letërsisë sonë, jetoi shqetësimi atdhetar i mbrojtjes së kombit dhe të traditës së Rilindjes, ashtu sikurse edhe dëshira për triumfin e pikëpamjeve demokratike, shqetësimi për një emancipim të përgjithshëm kulturor e shpirtëror të shoqërisë shqiptare.

Është ndër lirikët tanë më të mëdhenj, lehtësisht i shqueshëm për ndjeshmërinë, finesën dhe ëmbëlsinë poetike me të cilën, ai i këndoi Shqipërisë dhe dashurisë.

Në vitin 1933, u botua vëllimi i tij i parë “Vallja e yjeve”, dhe më 1937 u botua vëllimi i dytë “Ylli i zemrës”.

Këto dy përmbledhje poetike, Poradeci i botoi në Bukuresht, Rumani. Vëllimin e parë, poeti e botoi me ndihmën e mërgatës shqiptare në Konstancë; ndërsa i dyti, u botua me ndihmën e mjeshtrit tjetër të rrëfenjës e letrave shqipe, Mitrush Kutelit. “Ylli i zemrës” përmban po ashtu edhe vargje të përpunuara nga vëllimi i parë, “Vallja e yjeve” – ku gjejmë poezinë me vargëzimin e melodinë më të hollë në gjuhën shqipe.

Përveç dy vëllimeve poetike, Poradeci botoi tregime në prozë ndër të përkohshmet e viteve ’30-’40, këto veçanërisht tek “Përpjekja shqiptare” e redaktorit Branko Merxhani. Shkrime prej tij, janë shfaqur edhe në të përkohshmet “Drita” dhe “Nëntori”, që të kontrolluara deri përtej detajeve që nuk ekzistonin nga presioni dhe censura e kohës, ishin hapësirat më të volitshme për sërën e shqipëruesve.

Lasgushi është autor i më se shumë se 100 poezive, një pjesë prej të cilave, poezi dashurie të pakrahasueshme. Poeti me shpirtin e “fellë” ishte adhurues i fjalëve arkaike, shprehjeve filozofike popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli, i cili i redaktoi “Yllin e zemrës”, e ka cilësuar si “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe”.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Lasgush Poradeci e vazhdoi veprimtarinë krijuese, por u mor edhe me përkthime. Ai shkroi, veç të tjerash, poemat “Eksursioni teologjik i Sokratit”, “Mbi ta”, “Kamadeva”, baladat për Muharrem e Reshit Çollakun.

Gjithashtu, përktheu disa nga kryeveprat e letërsisë botërore, si: “Eugjen Onjegin” të Pushkinit, lirikat e Lermontovit, të Bllokut, poemat e Hajnes, të Majakovskit e Mickieviçit, lirikat e Gëtes dhe Hajnes, poezi të Lanaut, Brehtit; Hygosë, Mysesë, Bajronit; Shellit, Bërnsit dhe Emineskut etj.

Poeti do të ndahej nga jeta më 12 nëntor të vitit 1987, duke lënë pas një krijimtari letrare të papërsëritshme në historinë e letërsisë shqipe, krijimtari e vlerësuar lart edhe për kohën, nga emrat e mëdhenj të letrave shqipe, si: Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Mitrush Kuteli, Sabri Hamiti, Ismail Kadare etj.

 

 

Shpirtit

Të lus, o Lajmës i qielluar!
O Frym’ e Zotit, vetë Zot!
Me hirin t’ënd të pashteruar
Që ka mburim përjetësije,
Hirplot, o Shpirt, nër gaze Ti-je.
Dhe nër mjerime je hirplot!

Ti botës s’onë-i prure lajmin
E nj’enderimi të pafaj:
Për mallin t’ënd më të pastajmin
Ti kuvendon që përmbi botë,
Dhe në gëzim i bije lotë,
I bije gas në zi të saj.

Kur del mi male yll’i ditës
e shuhet nata prapa ti,
Ti me vështrimin vetëtitës
Çkëlqen në fund të zemrës s’ime
Dh’i ben prej këngës së një grime
Një të përjetshme – harmoni.

E kur pat humbur jet’ e dherit,
Kur syr’ i lodhur m’u përgjum,
Në shkëndijim të kandilerit
M’i çfaq ylberin e një rruaze…-
Fatlum, o Shpirt, ti j nër gaze,
Dhe nër mjerime je fatlum!

Sot hapa sytë që-me-natë
E po këndoj si kurrëkush:
drejt lartësisë së pamatë
Ah. mëshiro të gjitë – i çmuar
Prej gjirit t’im të përvëluar
Fjalim’i mallit t’im mjerush.

 

 

Hera Lera

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Agolli mbi varrin e 'Zogut të fundit të liqerit'

‘Kur gjeniu nderon gjeniun’


Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale