MENU
klinika

Këmbanat e alarmit po bien!

Së shpejti ky do të jetë problemi më i madh i Evropës!

09.11.2019 - 16:43

Për më shumë se një vit, lufta proteksioniste e Presidentit amerikan Donald Trump kundër Kinës, dhe tarifat e importit kanë nxitur ankthin për të ardhmen e tregtisë botërore.

Por tarifat janë vetëm maja e ajsbergut të nacionalizmit ekonomik. Dhe rreziqet e gjithë kësaj situate mund të fundosin sistemin global të tregtisë.

Në ekonomitë e zhvilluara, sektorët kryesorë që luftuan për të përballuar konkurrencën e importeve në të kaluarën, siç janë industria e veshjeve dhe çelikut, tani nuk luajnë më një rol të rëndësishëm. Kjo shpjegon pse drejtuesit e biznesit në SHBA kryesisht kundërshtuan tarifat e Trump. Kështu që duket se nuk ka të ngjarë që përdorimi i tarifave të shkojë përtej mosmarrëveshjes SHBA-Kinë.

Përkundër përfshirjes së dy ekonomive më të mëdha në botë, lufta tarifore duket se nuk po vazhdon. Edhe “njeri tarifor” i vetëdeklaruar ka filluar të njohë kufijtë e këtij instrumenti politik.

Muajin e kaluar, SHBA dhe Kina arritën një marrëveshje, e cila, shpresohet, të çojë në një marrëveshje që i jep fund luftës tregtare. Por edhe nëse një marrëveshje e tillë nuk arrihet, rezultati i ekonomisë globale mund të mos jetë aq i madh sa pritet. Në fund të fundit, tregtia bilaterale SHBA-Kinë arrin në rreth 700 miliardë dollar, më pak se 1% e PBB-së globale.

Megjithatë, tregjet po reagojnë ndaj çdo zhvillimi të ri në sagën tarifore SHBA-Kinë.

Përpjekje të tilla gjeostrategjike për të zvogëluar ndërvarësinë kanë një ndikim ekonomik shumë më të madh se tarifat bilaterale, të cilat së paku krijojnë mundësi për furnizuesit e tjerë.

Por rreziku i nacionalizmit ekonomik shtrihet përtej SHBA dhe Kinës dhe përfshin bllokun më të madh tregtar në botë, Bashkimin Evropian.

BE u themelua mbi besimin se ndërvarësia do ta bënte konfliktin më pak të mundshëm.

Sidoqoftë, kohët e fundit, Evropa duket se po kërkon një zgjidhje tjetër, të paktën në lidhje me fuqitë e tjera kryesore. Kjo është ilustruar nga një raport i fundit nga Komisioni Evropian, i cili bëri thirrje që Evropa të synojë më shumë “autonomi strategjike”.

Në shikim të parë, duket si një qëllim i pafajshëm: nëse BE dëshiron të mbrojë vlerat e saj globalisht, së pari duhet të konsolidojë aftësitë e veta për të vepruar.

Por kjo përpjekje për një autonomi strategjike mund të marrë lehtësisht një kthesë ekonomiko-nacionaliste.

Disa mund të pyesin se çfarë është e gabuar me këtë. Nëse qeveria e Kinës mund të ndërhyjë për të mbrojtur ose nxitur disa sektorë të teknologjisë së lartë për arsye sigurie, Evropa duhet të jetë në gjendje të subvencionojë prodhimin vendas të teknologjive të rëndësishme strategjike, siç janë pajisjet 5G dhe inteligjenca artificiale. Por një garë e tillë e subvencionimit nuk bën sens.

Tregtia natyrisht krijon varësi të ndërsjellë.

Kur bëhet fjalë për pajisjet dhe programet 5G, për shembull, asnjë furnizues i vetëm nuk mund të zhvillojë dhe prodhojë të gjithë përbërësit e nevojshëm. Kjo është arsyeja pse kompanitë në këtë treg kanë krijuar një grup patentash që u mundëson atyre të përdorin teknologjinë e rivalëve të tyre.

Nevojitet që më shumë ndërmarrje evropiane të marrin pjesë në zhvillimin e teknologjive të së nesërmes.

Por nacionalizmi ekonomik , qoftë në formën e një gare subvencionimi apo një përpjekje për t’u bërë “i vetë-mjaftuar” në disa teknologji do të bëjë shumë më shumë dëme sesa do të sjellë përfitime.

Daniel Gros është Drejtor i Qendrës për Studime të Politikave Evropiane.

Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Euroskepticizëm apo eurorealizëm?

“Ballkanizimi” i Evropës