Festivali që i kushtohet tërësisht letërsisë së trillit artistik, quajtur ndryshe “fiction”, do të bëjë bashkë dashamirësit e fjalës së shkruar, për tri ditë me radhë.
Festivali i dytë i kësaj natyre, në prozë artistike, “Fiction Fest” çel edicionin II më 8, 9 dhe 10 nëntor 2019. Organizator kryesor i këtij festivali është qendra për kulturë dhe edukim “Sheshi”.
Gjatë këtij edicioni të festivalit të prozës artistike “Fiction Fest” dashamirët e letërsisë do të kenë rastin të takohen me këta shkrimtarë: Roland Bartezko (Gjermani), Agron Tufa (Shqipëri), Roland Orçik (Hungari), Jurij Hudolin (Slloveni), Agron Y. Gashi (Kosovë), Rrahman Paçarizi (Kosovë), Erenestina Halili (Shqipëri), Ilire Zajmi (Kosovë), Jasna Dimitrijevic (Serbi), Albin Mehmeti (Kosovë), Shefqet Bylykbashi (Kosovë) dhe Elida Rrusta (Shqipëri). Shkrimtarët e mësipërm do të lexojnë pjesë të zgjedhura nga proza e tyre artistike, si dhe do të bashkëbisedojnë me të pranishmit lidhur me artin e tyre krijues dhe projektet e tyre të ardhshme në fushën e prozës.
Hapja e edicionit të dytë të këtij festivali do të bëhet të premten që po vjen, më datën 08 nëntor 2019, në orën 19:00, në ambientet e “Europe House”-it, rr. “UÇK”, numër 90, “Te Qafa”, përballë Komunës së Prishtinës (ish-objekti i bankës “ProCredit”). Në mbrëmjen e parë të pranishmit do të kenë rastin t’i dëgjojnë këta shkrimtarë: Roland Orscik, Rrahman Paçarizi, Erenestina Halili, Ilire Zajmi, Albin Mehmeti dhe Shefqet Bylykbashi.
Mbrëmja e dytë, mbahet më datën 09 nëntor 2019, në orën 19:00, në ambientet e “Europe House”-it. Këtë natë, para të pranishmëve do të lexojnë: Roland Bartezko, Agron Tufa, Agron Y. Gashi, Ilire Zajmi, Jasna Dimitrijevic dhe Elida Rrusta.
Ndërkaq në ditën e tretë (10.11. 2019) shkrimtarët do të vizitojnë Janjevën, fshat-simbol i traditës dhe multikulturalizmit. Po aty, në orën 12:00 në shtëpinë-muze të At’ Shtjefën Gjeçovit, do të ketë lexime të prozës artistike nga shkrimtarët pjesëmarrës në “Fiction Fest”. Kësisoj, ky festival i bën homazh Shtjefën Konstantin Gjeçovit, që u lind në Janjevë, më 1874.
Gjeçovi u vra nga një atentat në afërsi të fshatit Zym, më 14 tetor 1929, nga xhandarët jugosllavë. Veç famullitar dhe mësues, Gjeçovi ishte edhe studiues i palodhshëm i çështjeve të ndryshme shkencore. Mblidhte dhe studionte materiale etnografie, historike, gjuhësore e arkeologjike. Botoi me emër të plotë ose me pseudonimet Lkeni i Hasit e Komnen dhe Kanina, shumë shkrime nëpër të përkohshmet e ndryshme, si te “Albania”, “Hylli i Dritës”, “Populli”, “Brezi i ri” etj. Fusha më e gjerë e veprimtarisë së Gjeçovit qe ajo e shkencave albanologjike. Në këtë fushë ai u dallua si historian dhe si arkeolog e etnograf i parë shqiptar.
Mbledhjen e materialit për veprën më të madhe “Kanuni i Lekë Dukagjinit” e kishte filluar në vitin 1898 dhe kishte vazhduar deri në vrasjen e tij, më 1929-n. Gjeçovi i la veprat e tij të mbledhura, të sistemuara dhe të pabotuara. Vetëm “Kanuni i Lekë Dukagjinit” u botua në Shkodër pas vdekjes, në vitin 1933. Kjo vepër e bëri atë të pavdekshëm, pasi përmbledhja përmbante rregullat e së drejtës zakonore dhe dokeve të popullit.
Edicioni i dytë i festivalit të prozës artistike “Fiction Fest” u mbështet nga Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit (MKRS), Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës, programi “Kultura për ndryshim”, i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe i zbatuar nga qendra “Multimedia” dhe “Goethe Institut”.