MENU
klinika

"Udhëheqja i shihte gjithë filmat"

Si vrapoja nga kinema “17 Nëntori” te “Partizani”

07.11.2019 - 17:45

       Për vite me radhë ai ishte, me shumë gjasë, korrieri më i rëndësishëm kulturor në Tiranë. Ishte 14 vjeç kur mori biçikletën, bobinën e filmit në çantë dhe nisi të përshkonte rrugën nga Kinema “17 Nëntori” te “Partizani”. I jepte shpejt pedaleve – duhet ta çonte bobinën në kohë, publiku priste…

I pari që iu qas kinemasë ishte i vëllai, pastaj ai, dhe me kalimin e vite e ia pasoi zanatin edhe të bijve. Theodhor Ziu është një nga kinomekanikët e parë të kryeqytetit, që ende vazhdon të shfaqë filma.

Im vëlla punonte në kinema dhe kur mbarova shtatëvjeçaren; iu qepa atij nga pas, që edhe unë të punoja si ai. Isha 14 vjeç dhe më paguanin me 240 lekë rrogë. Babai s’la vend pa kërkuar për të mësuar se ku punoja dhe ku i gjeja ato para. Pasi bisedoi me drejtorin e Kinemave, Mustafa Kuzmi, ky i tha që kur të mbushja 16 vjeç do hyja në punë si kinomekanik. Fillimisht transportoja filmat nga Kinema ‘Partizani’ te ‘17 Nëntori’, sepse ishte vetëm një kopje për të dyja kinematë”, tregon ai për “Sekrete mjeshtërie”.

Ishte fëmijë, profesioni i pëlqente, por dëshironte të vazhdonte edhe shkollën.

Fillonte shfaqja në 09:30 te Kinema ‘17 Nëntori’, në 10:30 te ‘Partizani’ e kështu me radhë deri në orën 21:00, që ishte orari i fundit. Ishte një punë që e bëja me kënaqësi. Përpiqesha të mësoja nga ustallarët Sulejman Qerimi dhe Hysni Vogli, që sot nuk jetojnë më. Mësoja si vihej filmi, si hiqej, nga dilte zëri, si funksiononte filmi, ku ishte kolona zanore… Kur u bëra 16 vjeç më kërkuan të bëhesha ndihmëskinomekanik. Por, ndërkohë unë doja të vazhdoja edhe shkollën, sepse s’mund të mjaftohesha me tetëvjeçaren, por së pari më kërkuan të bëja një provë në punë, në të cilën dola shumë mirë”, thotë Theodhor Ziu, teksa pret të shkojë ora, që të shfaqë filmin në Kinema ‘Agimi’”.

Rruga nga njëra kinema tek tjetra zgjaste 30-40 minuta. Përgjegjësia ishte e madhe…

Mësova biçikletën, por nuk kishte as shumë makina, rrugët ishin të lira, por ama djersët më shkonin çurg. E fusja filmin në një çantë meshine të lidhur, e vija pas biçikletës dhe vrap nga Kinema ‘17 Nëntori’ te ‘Partizani’. Çdo gjë duhej të bëhej me shpejtësi, sepse mbaronte bobina e parë, duhej vënë e dyta, ndërroheshin nga një aparat në tjetrin, ndërsa jepej e dyta duhej çuar e treta. Lodhja ishte e madhe”, tregon ai.

Për pesë vjet punoi si transportues dhe në 1969 mori dëshminë si kinomekanik, për aparaturat e vogla. Iu desh të shkëputej dy vjet, gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak (1970-1972), por sapo u kthye, e thirrën sërish në punë, por këtë herë duhet të çonte filmat në fshat. Shkonte fshat më fshat: Zall-Bastar, Shupal e me radhë, deri në Malin me Gropa e Shëngjergj. Për pesë vjet çoi filmin nëpër fshatrat e Tiranës.

Çdo fshat kishte Pallat Kulture, mblidheshin të gjithë dhe u shfaqja filmin. Kam çuar çdo film shqiptar. Shfaqja edhe të huaj, por sidomos në fshat pëlqenin më shumë shqiptarët”.

Sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë e donte kinemanë dhe filmin. Ishte momenti që edhe në karrierë të ecte përpara. Pasi dha provimin për aparaturat e mëdha mori patentën që ka edhe sot.

Incidentet për shkak të transportit ishin të pakta, por kishte edhe raste si zjarri i rënë në Kinema “Brigada”.

Shfaqeshin edhe filma të djegshëm. Për shkak të nxehtësisë së karboneve ata lëshonin tym dhe duhej fikur menjëherë, pasi merrnin flakë. Ne kishim batanije dhe fikse në dispozicion, për raste të ngjashme”, thotë ai.

Sigurisht, nuk mungonin vështirësitë, por ai flet me nostalgji për vitet kur njerëzit e donin kinemanë, ndërsa tani kanë mbetur shumë pak syresh.

Njerëzit prisnin radhë, prisnin biletë, mbanin rregull, po kishte raste edhe që thyheshin dyert, si te ‘Zonja e panjohur’ apo ‘Fatma’, ‘Aventurat e Uliksit’ me Bekim Fehmiun, ‘Korrupsion në Pallatin e Drejtësisë’ etj. Kur kishte filma të mirë, interesi ishte shumë i madh, edhe pse filmat ishin të prerë”.

Ishin vite censure dhe shpesh herë filmat priteshin ose bllokoheshin. Vinte urdhri “nga lart”, siç thotë Dhori dhe të gjitha ato pjesë që binin ndesh me “vijën e Partisë”, zhdukeshin.

Kemi pasur bllokime. Dy ditë pasi doli filmi ‘Një jetë’, na thanë ta ndërprisnim shfaqjen e tij. Në vend të tij më dhanë një film kinez, ‘Pishat e blerta’. Na ndodhte që ‘të mëdhenjtë’ të jepnin urdhër për bllokim dhe filmi hiqej nga qarkullimi. Vinte urdhri për prerje, por unë ua kërkoja me shkrim, me numra, sepse çdo dialog kishte një numër. Ndodhte që ose i ndërrohej titulli filmit, ose pritej momenti ku kishte ndonjë skenë dashurie”.

Asgjë nuk shfaqej pa u kontrolluar më parë nga organet e censurës, madje vetë udhëheqja i shihte e para. Të gjithë kineastët shqiptarë tregojnë ankthin e pritjes dhe kërkonin të shquanin fytyrën e kinomekanikut, që kishte shfaqur filmin në Bllok. Aty “lexohej” e ardhmja e filmave të tyre.

Udhëheqja i shihte të gjithë filmat. Unë kam shkuar vetëm dy herë atje, një herë në Bllok dhe një herë në Komitetin Qendror. Një herë për shfaqjen e filmit për Hysni Kapon, ‘Besniku i Partisë’. Vetëm 10 minuta film pa Enver Hoxha. Isha 27 vjeç. ‘Mirë mo, mirë’, – tha Enver Hoxha dhe filmi kaloi”.

Gjatë viteve 1978-85 punoi në Kinemanë e Laprakës, ku i kanë kërkuar të punojë sërish, kur ajo të merret në dorëzim pas rikonstruksionit. Në vitin 1986 u bë përgjegjës në Kinema “Partizanin”, por në vitin 1989 kur aty pritej të mbahej një mbledhja ballkanike, kinemaja u dogj. Brenda natës ajo u zhduk dhe pasojat do të binin edhe mbi Theodhor Ziun. Edhe pse ai nuk u shpall asnjëherë fajtor, do të dënohej me gjashtë muaj heqje lirie, gjatë së cilës do të riparonte televizorët e burgjeve.

Emri i tij nuk figuron në listat e të dënuarve e si rrjedhojë as do të shpërblehej për muajt e heqjes së lirisë. Por, pavarësisht se ka kaluar shumë në jetë, ai e vlerëson periudhën kur spektatori priste në radhë për të parë një film. Është një zanat i vështirë, por ai thotë se ka dashur t’ia trashëgojë të tre djemve të tij.

Duhet që në radhë të parë të njohësh filmin”, thotë ai.

Po ashtu siç ai u transmetoi zanatin, ata i mësuan teknologjinë dhe sot, kinomekaniku që bariste me biçikletë nga njëra kinema në tjetrën, për të çuar bobinat e filmit, sot punon me teknologjitë më të fundit digjitale. /”Sekrete Mjeshtëri” – Ministria e Kulturës e Shqipërisë/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Mesazhi i fortë që Rocky Balboa i dha djalit

‘Derisa të besosh te vetja, nuk ke për të pasur një jetë’


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen