Artion Vreto është sot sekretari i Federatës së Aerodinamikës, por ai u bë i njohur për publikun shqiptar falë serialit të njohur “Njerëz dhe fate”.
Vreto luante rolin e një trafikanti të qenieve njerëzore, dhe nisi të identifikohej si “i keqi” edhe në jetën reale.
Këtë e tregoi vetë Vreto përmes një historie të treguar në emisionin “Ditë e Re” në “Rtv Ora”, ku tha se një gjyshe e kishte goditur në rrugë, duke i kërkuar llogari përse i mashtronte vajzat.
“Isha student gjatë asaj kohe dhe me atë kast aktorësh isha pjesë e atij seriali që më ka bërë të mësoja shumë, të kuptoja shumë. Në atë kohë punoja te Vizion Plus. Po shkoja në punë, në këmbë ashtu në llucë siç ishte aso kohe në Don Bosko. Po shkoja për të pirë një kafe dhe ndërkohë po transmetohej “Njerëz dhe fate”.
Ishim me Arben Derhemin. Një plakë më gjuan me çantë dhe fillon të më shajë: “Maskara, i poshtër! Ngela unë. Ishte ora 9:30 e mëngjesit. Se kuptova se çfarë kishte. “E mashtron vajzën dhe e çon …” O nona i thashë hajde të keqen e të jap një kafe, por është film. Çfarë filmi mo maskara? I dhashë një ujë që ta qetësoja dhe më pas i tregova se nuk jam aq i keq sa duhem”. Kjo tregon se roli është realizuar dhe për këtë jam krenar,” tregon Vreto.