Promovohet libri “Uni krijues edhe vepra” me autor studiuesin e letërsisë, Bashkim Kuçuku, pranë Akademisë së Shkencave. Në këtë botim janë përzgjedhur 23 intervista me personalitet e kohës gjatë 40 vjetëve, nga Eqrem Çabej, Dritëro Agolli, Ismail Kadare edhe Natasha Lako
Studiuesi i letërsisë, Kuçuku, promovoi në sallën “Aleks Buda”, Akademia e Shkencave, librin “Uni krijues dhe vepra”. Ky botim, sjell në vëmendje 23 intervista, realizuar këto, në rreth 40 vite, me personalitetet të kulturës në vend, duke nisur nga Eqrem Çabej, Dritëro Agolli, Shaban Demiraj, Ismail Kadare edhe shumë emra të tjerë.
“Unë më tepër i përmblodha këto intervista për t’iu mundësuar brezave të rinj, për të kuptuar diçka nga bota e brendshme e këtyre njerëzve të mëdhenj. Të përmbledhura bashkë, vërtet që përbëjnë një pasuri mendimi intelektual, letrar edhe shkencor. Nëpërmjet këtyre njerëzve është një pjesë e përvojës së madhe të 50 viteve të kaluara, si dhe një mënyrë komunikimi e të shprehurit të asaj kohe, që besoj se janë pjesë e kulturës shqiptare. Shumica e atyre nuk janë më, por kanë lënë veprën e tyre”, – shprehet studiuesi, Bashkim Kuçuku.
Teksa, ai rrëfen se, intervista është një mënyrë komunikimi bashkohore universale, nëpërmjet së cilës sqarohen drejtpërdrejt para të intervistuarve probleme të caktuara, Kuçuku ndalet edhe tek figura e Eqrem Çabejt dhe detyrimi moral ndaj këtij personaliteti.
“Një nga ngasjet apo detyrimet e mia morale, që unë hyra që t’i përmbledh pas kaq vitesh këto intervista ka qenë pikërisht detyrimi im moral ndaj personalitetit të Eqrem Çabej,i cili më dha një intervistë. Por, edhe një shenjë mirënjohje për profesor Mahir Domin, i cili me fshehtësinë më të madhe më ka formuluar pyetjet. Në emër të kulturës, edhe të profesorit, ai mori këtë guxim, m’i formuloi pyetjet që ia dorëzova profesor Çabejt. Profesori nuk e shprehu kurrë, por pa se kishte një çudi, për atë që kishte ndodhur. Unë ato pyetje nuk mundet që t’i bëja kurrë. Por këtë të vërtetë e zbulova pas 30 vitesh” – ka theksuar ai, për mediet.
Studiuesi e cilëson librin “Uni krijues edhe vepra”, si një mundësi të artë që brezat e rinj, të mund të njihen jo vetëm me gjurmët e kontributit të këtyre personaliteteve në kulturën shqiptare, por edhe si një mundësi të artë për të njohur sadopak të tilla personalitete të çmuara.