MENU
klinika

Premiera shtyhet...

Cirku Kombëtar e pret 60-vjetorin si mos më keq

26.12.2019 - 17:05

      “Katedralja e Parisit” është shfaqja e programuar për 60-vjetorin e Cirkut Kombëtar, që do të vijë si premierë, vetëm në vitin 2020. Koreografi Llaqi Nako, për mediet rrëfen arsyet dhe situatën e rëndë ku gjendet Cirku Kombëtar, në këtë përvjetor.

Premiera e “Katedrales së Parisit” nga Viktor Hygo, në Cirkun Kombëtar do të ngjitet në skenë, vetëm në vitin 2020. Ndonëse, shfaqja ishte programuar për 60-vjetorin e Cirkut, nuk ndodhi kështu. Festa e vakët për cirkun dhe mjeshtrit e saj, do të zhvillohej në Muzeun Historik Kombëtar, por jo pa arsye, apo nga ndërgjegjësimi i krerëve të institucioneve të kulturës, se çdo gjë në aty është amortizuar. Mjeshtri i baletit, koreografi Llaqi Nako, rrëfen se çfarë i kanë parë sytë, gjatë punës për realizimin e shfaqjes, që vjen si ide e Erisa Daklit.

“Realisht, kjo nuk ka qenë iniciativë imja, por ka qenë një projekt i miratuar në kuadër të 60-vjetorit të Cirkut. Si fillesë ka qenë e mirë edhe inkurajuese, por në vazhdimësi ashtu si erdhën punët, nuk gjetëm kohën e duhur”, i cili shton se në këndvështrim figurativ, nëse Katedralja, jo ajo e Hygoit, por ajo në Paris u dogj, këtu e lëkundi tërmeti, por jo thjesht tërmeti që ra, por një lloj interesi tjetër interesash të brendshme nën edhe përballë njëri-tjetrit, faktorë këta që reflektojnë edhe në ecurinë e shfaqjes.

“Në çadër u pezullua puna, për arsye se aty ka probleme shumë të rënda teknike, që është e amortizuar edhe rrezikon jetën e njerëzve. Edhe kështu ndodhi. Një nga akrobatët i ra një objekt në kokë edhe u ça. Kjo bëri që shfaqja të ndërpritej. U ndërpre në një moment që ishte në prag të daljes”, rrëfen koreografi.

Cirkun Kombëtar, 60-vjetori e ka gjetur në ditët më të këqija. Kjo, sipas koreografit, ndodh sepse njerëzit, artistët janë shpresëvrarë teksa punojnë në kushte të amortizuara

“Cirku sot për sot është në ditët e veta më të këqija, mua më vjen keq, se aty ka njerëz që e dashurojnë këtë artë. Ky angazhim, është fyes për njeriun, sepse nuk mund ta kapësh veglën me duar të ftohta, aty nuk ka sistem për të ajrosur apo për t’u ngrohur në dimër edhe freskuar në verë. Unë isha dje edhe do iki nesër, por mendoj sikur të isha unë apo një fëmijë i imi, që të punoj në këto kushte. E them me përgjegjësi, që Cirku është në ditët e veta më të këqija. Ai lloj eksodi që po ndodh sot në plan kombëtar nuk e përjashton cirkun. Një pjesë janë bërë gati për të ikur. Të tjerët mbeten shpresëvrarë”, – thotë Nako.

Vetëm para dy ditësh, Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministres së Kulturës, Elva Margariti, ka emëruar si drejtor të Cirkut Kombëtar, aktorin Ilirjan Gjini.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Komedia e zezë premierë botërore

“Cirku fluturues” konkurron në Estoni