Studiuesja Jorina Kryeziu Shkreta, ka folur për takimin me të bijën e Petro Markos, Arianitën, e cila e ka ndihmuar për hulumtimet mbi ditarin e Petro Markos, por edhe mbi telegramet e burgut.
Nga shënimet e intelektualëve në burg, studiuesja veçon ditarin e Petro Markos, jo për realitetin që përshkruante, por sepse i kushtohej dashurisë.
Përpos ditarit, nuk mungojnë as telegramet me familjarët, për të cilat, Kryeziu pohon se dalin për herë të parë.
“Vajza e tij, Arianita më mirëpriti edhe përveçse më disponoi ditarin, për herë të parë më dha edhe telegramet. Petro Markon tashmë do të njihemi me letërkëmbimet që ka kryer në burgun e Armiqve të Popullit në Tiranë. Përpos ditarit, ai mban edhe letërkëmbime më Safolinën, Arianitën të bijën, të vëllanë e të shoqes. Këto telegrame kanë interes, sepse tregojnë kohën edhe vuajtjet e tij, edhe pse ai kërkon që t’i injorojë vuajtjet fizike në qëndrimin brenda qelisë, duke u fokusuar tek dashuria. Nuk janë letërkëmbime të rregullta, por janë letërkëmbime për ftesa kombëtare edhe raste të veçanta. Të gjitha telegramet pas nënshkrimit mbajnë firmën e drejtuesit ku ai vuante dënimin”, rrëfen Kryeziu.
Ditarin, por edhe telegramet e burgut, studiuesja i vlerëson, si pjesë të pandarë të letërsisë dokumentare. Tre vite burgim edhe asgjë më shumë, rrëfen ajo, ku tregohet brutaliteti i sistemit, ashpërsia me intelektualët, që quheshin “Armiqtë e Popullit”.
“Jo vetëm telegramet, por edhe ditari i burgut më kanë integruar, sepse janë pjesë e pandashme e asaj kujtese, e letërsisë dokumentare. Nëpërmjet këtij ditari vjen bota e tij e madhe, jo në statusin e të burgosurit, por të shkrimtarit. Janë shkrime që ai e shndërron realitetin në art. Anën e errët të jetës edhe dritën vezulluese brenda mureve të qelisë ai i shikonte tek forca e dashurisë. Nëse të tjerët vuajnë mungesën e lirisë brenda hekurave, ai e gjen lirinë përmes forcës së dashurisë. Mendon se është pikërisht forca e dashurisë që e mbajti gjallë”, shprehet studiuesja.
“Këto telegrame, që ti më ke dërguar brenda kohës që hipa nga birucat në burg, për mua kanë qenë dhe do të kenë një vleftë fisnike të thellë se kanë qenë vala të ngrohta dhe t’ ëmbla ngushëllimi në ditët më të trishtuara të jetës sime – se ishin ndarë!.. Fjalë të pakta.. Ndonëse të bëra me raste të shënuara, po të ta them copë, edhe asnjë fjalë të mos kishin, për mua janë një pjesë e pasurisë së kujtimeve të mia t’ëmbla, se mi dërgoi Safolina ime, që më dashuron, se mbajnë emrin “Safo” – që domethënë: yl’ e , goçe e keqe dhe e Bukra e Dheut e Poetit, që kaq shumë e dashuron”, shkruan Petro Marko në një nga telegramet e majit të vitit 1950 nga burgu për bashkëshorten e tij, Safolinën.
Studiuesja përfundon se në rastin e Petro Markos jeta edhe vepra janë një, prandaj botimi i tyre do të ishte zgjedhja e duhur.