Në Parlamentin e Serbisë ka ndodhur një incident kur deputetët e opozitës nga partia Dveri, Boshko Obradoviç dhe Ivan Kostiç hynë në sallën e Kuvendit duke mbajtur pankarta në duar në të cilat shkruhej: “Milo, hajdut, nuk t’i japim gjërat e shenjta” dhe “Serbi, pse po hesht?”.
Fjala është për presidentin e Malit të Zi, Milo Gjukanovicc, raporton Radio Evropa e Lirë. Veprimi i deputetëve opozitarë serbë kishte të bënte me faktin se Serbia nuk është përgjigjur ende ndaj miratimit të një ligji për komunitetet fetare në Malin e Zi, i cili ka ngritur shqetësime se ky dokument mund t’i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësinë në pronat që administron. Deputetët e parlamentit serb kërkuan një seancë të jashtëzakonshme të Parlamentit serb për situatën në Mal të Zi.
Më pas pati një konfrontim fizik me deputetët e shumicës në pushtet. Obradovicc u ndal para kryesuesit të seancës dhe pyeti deputetët “nëse ata mbështesin rrëmbimin e kishave dhe manastireve serbe dhe arrestimin e deputetëve në Mal të Zi”. Pastaj atij iu afrua kreu i grupit parlamentar të Partisë Progresive Serbe në pushtet, Aleksandar Martinovicc, dhe deputetë tjerë të shumicës parlamentare, duke u shkaktuar më pas edhe përleshja fizike. Kryetarja e Kuvendit, Maja Gojkovicc, u kërkoi deputetëve të qëndrojnë në vendet e tyre dhe të mos përgjigjen ndaj asaj që ajo e quajti provokim nga ana e Boshko Obradovicc. Ajo gjithashtu kërkoi nga Shërbimi i Sigurisë së Kuvendit të mos reagojë. Seanca më pas u shty por rifilloi shumë shpejt. Pse po kundërshtohet ligji në Malin e Zi? Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar një projektligj për komunitetet fetare, i cili është kundërshtuar nga opozita pro-serbe, duke ngritur shqetësimin se ky dokument mund t’i heqë Kishës Ortodokse Serbe të drejtën mbi pronësinë që ka.
Përgjatë seancës, brenda dhomës së parlamentit janë zhvilluar protesta të dhunshme. Në orët e para të 27 dhjetorit, ligjvënësit kanë votuar në të mirë të projektligjit, derisa anëtarët e partisë opozitare Fronti Demokratik kanë tentuar të parandalojnë këtë proces. Rreth 36 deputetë kanë bojkotuar votimin, duke i ofruar koalicionit udhëheqës rrugë të qartë për miratim të projektligjit edhe pas tetë orëve të debatit. Disa prej ligjvënësve që kanë protestuar janë larguar prej ndërtesës nga zyrtarët për zbatim të ligjit, ndonëse nuk është bërë e ditur nëse ata janë ndaluar.
Gjatë ditës së enjte, qindra mbështetës të opozitës pro-serbe kanë dalë në rrugët e kryeqytetit, Podgoricë për të kundërshtuar projektligjin. Protestuesit kanë qenë të zemëruar nga kërkesa e këtij dokumenti për të ofruar të dhënat mbi pronësinë që kanë prej para vitit 1918, kur Mali i Zi i është bashkuar Mbretërisë Jugosllave.
Kisha Ortodokse Serbe pretendon se ligji do t’i marrë asaj pronën, duke përfshirë manastiret dhe kishat, andaj planifikon të dërgojë ankesë në organizatat ndërkombëtare. Zyrtarët malazezë kanë mohuar supozimin që kisha do të humbasë pronën që ka/REL.