MENU
klinika

''Endacaku i përjetshëm''

Lindur para se Hollivudi të shpikej!

25.12.2019 - 13:20

      Më 25 dhjetor 1977, ka vdekur në Zvicër aktori, skenaristi, regjisori dhe producenti anglez Çarli Çaplin, një nga pionierët e kinemasë dhe një ndër artistët më të mëdhenj në historinë e filmit.

“Ai nuk ishte një yll Hollivudi”, thotë studiuesja amerikane e Çaplinit, Lisa Stein Haven, “sepse kur ai ishte yll, Hollivudi nuk ekzistonte”

Mustaqet tipike, kapela, bastuni dhe ecja si rosak, me këpucët e mëdha – karakteristikat që nuk harrohen. Ashtu si edhe në filmin e tij të parë, që ishte një sukses i menjëhershëm “Fëmija” (1921) ‘endacaku’ ndërthurte në figurën e tij, humorin e shakanë me dëshpërimin e melankolinë.

Lindur në vitin me 16 prill 1889, në Londër, ai ndërroi jetë në Zvicër. në vitin 1977. Gjatë jetës, ai përjetoi shumë suksese në kinematografi, si edhe shumë skandale. Charles Spencer Chaplin rridhte nga një familje e varfër dhe arriti të fitojë miliona në Holliëud. Filmi i tij “Etja për ar”(1925), pasqyron pikërisht këtë kontradiktë: realiteti i trishtuar dhe ëndrra për ar e pasuri.

Shumica e veprave të Çaplinit, i përkasin kohës kur filmi ishte pa zë. Për “Dritat e qytetit”, ai punoi në fazën e kalimit nga filmi pa zë, në atë me zë. Por, ai nuk i preferonte filmat me zë. Ai e përdorte zërin me kursim dhe në mënyrë eksperimentuese. Filmat e tij dëshmojnë se ai ka pasur të drejtë: Mimika, pantomimat, gjestet dhe shprehja, janë edhe sot pikante dhe shumë artistike në filmat e tij.

Çarlie Çaplin, kjo figurë komplekse e kinamsë, njihej për dobësinë që kishte për femrat dhe është martuar katër herë. Ylli i kinematografisë ishte i njohur edhe për lidhjet me vajzat e reja, çfarë shpesh i ka krijuar telashe. Në SHBA dhe në atdheun e tij në Angli, e kanë kritikuar ashpër për këtë.

Vetëm në filmat e tij të vjetër, Çaplini luante karaktere të pakëndshme. Shumë shpejt, ai iu përkushtua roleve që karakterizuan më pas filmat e tij: ky ishte njeriu i thjeshtë, që mbrohet ndaj padrejtësive të jetës. Në veprat e më vonshme si “Kohët modern” (1936), ai përcjell edhe një kritikë të thellë – njeriu në ingranazhet e industrializimit.

Një vepër mjeshtërore e Çaplinit është filmi “Diktatori i madh” (1940). Përpjekjes, që konsiderohej thuajse e pamundur për të satirizuar Hitlerin dhe nazistët, Çaplini ia doli me sukses. Më vonë, vetë ai është shprehur, se po të kishte pasur dijeni për kampet e përqendrimit, nuk do ta kishte xhiruar filmin. Pavarësisht kësaj, “Diktatori i madh” edhe sot është një film që ia vlen të shihet.

Në veprën e mëvonshme “Projektorët”, Çaplini ka përpunuar edhe shumë prej përjetimeve të tij prej artisti. Premiera e filmit u shfaq në vitin 1952, në një kohë, kur ai përçmohej në SHBA. Asokohe, Çaplinin e akuzonin për përkrahje të komunizmit. Çaplinit, i cili ishte atë kohë në Angli, nuk i lejohej të kthehej në SHBA.

Pas dhjetë vjetësh ndërprerjeje, Çarli Çaplin risolli në skenë, në vitin 1967, filmin “Kontesha nga Hong-Kongu”. Ndonëse filmi me dy yjet e kinemasë, Sophia Loren dhe Marlon Brando, pati aktorë të nivelit të lartë, nuk pati sukses komercial. Vitet e fundit të jetës, Çaplini i kaloi në Zvicër, prej ku u kthyer betëm njëherë në Amerikë.

As sot e kësaj dite, nuk ka figurë tjetër në historinë e kinematografisë, që të jetë kaq e pranishme sa Çarlie Çaplin. Qoftë në reklama, në qendra tregtare, në pllakata, në fotografi apo në internet, endacaku tipik i aktorit të madh Çarlie Çaplin, e gjejmë kudo dhe në çdo kohë. Çaplini i ka rezistuar kohës, megjthëse krijimtaria ë tij artistike i përket një të shkuare të largët.

Edhe ata që nuk janë rritur me Çarli Çaplin dhe filmat e tij, e njohin endacakun. “Ai nuk ishte një yll Hollivudi”, – thotë studiuesja amerikane e Çaplinit, Lisa Stein Haven, “sepse, kur ai ishte një yll, Holliwudi nuk ekzistonte”. Edhe sot mund të thuash se: Çarli Çaplin është shumë më tepër se një aktor. Ai është një legjendë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çarli Çaplin aktori i aktorëve

E qeshura është gjuhë universale