Prej kohësh në rrjetet sociale po përhapen me shpejtësi virale disa ilustrime të kufijve të hamendësuar të Shqipërisë nën Perandorinë Osmane.
Me diçitura keqdrejtuese e tituj bombastik sesi Shqipëria paska qenë me kufij të gjerë në kohën e Perandorisë Osmane, lajme të tilla po përtypen nga audienca të tëra, shkruan Konica.al.
Harta e parë është një ilustrim i marrë nga Wikipedia ku paraqitet harta e katër vilajeteve shqiptare me mbishkrimin «Albanski vilajet».
Por e vërteta është se Porta e Lartë asnjëherë nuk ka pranuar zyrtarisht një ekzistencë të pavarur të Shqipërisë dhe as nuk i ka njohur vilajtetet e Janinës, Manastirit, Kosovës dhe Shkodrës si toka shqiptare.
Përpjekja e vetme e ish-kryeministrit reformator Mithat Pasha, në vitet ’70 të shekullit të nëntëmbëdhjetë, për krijimin e një «vilajeti shqiptar» pati zgjuar reaksionin e egër të qarqeve konservative në Perandori.
Kërkesat konstante të shqiptarëve, prej Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e deri në vitet e fundit të Perandorisë, për krijimin e një vilajeti të bashkuar shqiptar kanë hasur në kundërshtimin e rreptë të sulltanit dhe qeverisë osmane.
Siç dëshmon profesoresha turke në Universitetin e Marmarasë, Nuray Bozbora, sulltan Abdyl Hamidi në një memorandum drejtuar shqiptarëve, që mban datën 3 nëntor 1880, shprehej kategorikisht kundër idesë për bashkimin e vilajeteve shqiptare në një tërësi të vetme.
Në letër, Abdyl Hamidi e quante «ide ngatërrestare» (fikr-i fesad) kërkesën për krijimin e një Shqipërie autonome që do t’i përfshinte vilajetet e Kosovës, Shkodrës, Janinës dhe Manastirit.
Copëzimi i hapësirës shqiptare në disa vilajete filloi në vitet ’60 të shekullit të nëntëmbëdhjetë, në kuadër të projektit të reformave decentralizuese të Perandorisë Osmane.
Harta e dytë e falsifikuar shitet si «hartë ruse e vitit 1881» e cila e numëron si Shqipëri edhe vilajetin e Selanikut.
Burimi dhe autori i hartës nuk janë të njohur për publikun, por kjo nuk i pengon disa portale që të dalin me tituj bombastikë si «Shihni sa e madhe ishte Shqipëria në kohën e Perandorisë Osmane» e përshkrime të tjera të fryera.
Por cilët ishin kufijtë e saktë të Shqipërisë sipas burimeve të pavarura perëndimore?
Në botimin e vitit 1911, Encyclopædia Britannica jep këtë përshkrim në zërin për Shqipërinë:
«Treva e banuar në mënyrë pak a shumë homogjene nga popullata shqiptare mund të shënohet përafërisht nga tërheqja e një vije prej kufirit malazez në Beranë deri në Mitrovicë dhe deri te kufiri serb në afërsi të Vranjës; prej aty në Shkup, Prilep, Manastir, Fllorinë, Kostur, Janinë dhe Pargë. Këta kufij, sidoqoftë, janë larg prej përfshirjes së të gjithë pjesëtarëve të këtij populli të hapërdarë». /konica.al/
© Salih Mehmeti | Konica.al