Për edicionin e 70-të, Festivali ndërkombëtar i filmit në Berlin ka publikuar posterat e takimit të 2020-ës. Çfarë bie në sy, është mungesa e figurës kryesore, simbol i qytetit – ariun.
Ndryshe nga vitet e mëparshme, dizenjuesit kanë zgjedhur shkronjën “B” në sfondin e numrit 70, të festivalit.
Mbrëmja festive, do të presë yje ndërkombëtare dhe regjisorët, prej datës 20 shkurt deri më 1 mars 2020, nën drejtimin e Carlo Chatrianit nga Italia dhe Mariette Rissenbeekut, nga Hollanda.
“Berlinalja e 70-të, duhet të jetë një fillim për zgjerimin e shkëmbimit me vende dhe institucione të tjera kulturore,” – kanë deklaruar ata, duke njoftuar publikimin e posterave të rinj.
Organizatorët shprehen se, festivali i vitit 2020, do të shënojë bashkëpunime të reja me kinematë, Filarmoninë e Berlinit dhe Akademinë gjermane të Filmit. Disa prej shfaqjeve të filmave, koncerteve, tryezave të diskutimit, apo ekspozitave janë caktuar për në muajin shkurt.