MENU
klinika

Skënderbeu një dhe i vetëm?!

Gojëdhënat që nxjerrin dimensionet e reja të Heroit tonë Kombëtar

13.12.2019 - 07:02

Gjergj Kastrioti, ai që me shekujt e bën gjithmonë e më shumë vendin të nderuar që ka pasur mundësinë që ta lindi dhe ta rrisë në emër. Gjenerali i preferuar i sulltanit që e tradhtoi atë për një ideal më të madh, atë të atdheut.

Legjendat popullore që na vijnë për Gjergj Kastriotin janë padyshim një nga thesaret më të mëdhenj që letërsia jonë përmban, po sigurisht vlerësimi nuk vjen vetëm nga arti i fjalës, po edhe nga historia, artet dhe shkencat e tjera humanitare.

Legjendat në tërësinë e tyre përfaqësojnë epokën e gjatë të pushtimit qindra vjeçar osman dhe padyshim edhe pjesën e ndërrimit të fesë, që ishte një nga çështjet kryesore. Ka shumë tregime që Gjergjin e paraqesin si njeri me karakter pozitiv dhe real

Ja shembuj: Mati e Dibra krenohen që e kanë ndihmuar e kanë qenë nën hijen e tij; katundet e Zaranikës së Elbasanit e kujtojnë vizitën që u bëri e Bixëlleja, madje gëzon dhe sot të mirat e bekimit të tij. Ai ishte shumë popullor. Nuk e përmbyti Bulqizën e Epër, kur i ngordhën zagarët nga thëllimi, se iu lutën fshatarët; u shtir sikur u mund prej bariut në një ndeshje shoqërore; e njohu zotësinë e djemve të Bixëllesë.

Kokë Malçin e çmonte për mençurinë e tij dhe gjen rast të na japë edhe neve shembull që të nderojmë pleqtë. Shoqërohej dhe me njerëz të thjeshtë si Hutra e Doda, e shtrohej me ta në muhabet të përzemërt. Dinte t’i zbuste e t’i bënte për vete dhe armiqtë personalë, si Gjoeb Bësarin. Dhe plot shembuj të tjera kemi që provojnë karakterin e tij pozitiv e të fortë.

Skënderbeu i donte fort ushtarët e tij dhe kemi prova të shkëlqyera. Në legjendën “Vinjolli”, për shembull, kallëzuesi na thotë:

“Skënderbeu ka dalë fitues në luftë, se e ka bekuar Zoja e Bekueme”, më ka thënë qysh në vitin 1930, në Burrel, Dul Bardhi, prej Frankthi të Matit, dhe ja fjalët e tij: “Skandërbegu malin Skandërbeg e ka pas si stacion e kur ka hypë nalt i ka dalë Zoja e Bekueme ene e ka bekue, për me dalë fitues në luftë.”

Kjo legjendë e bukur ka rëndësi të madhe për mitologjinë skënderiane, se, për krah evliarëvet e të dashmëvet të Allahut, që i vijnë në ndihmë Skënderbeut, na nxjerr në skenë dhe një figurë të madhe të kristianizmit, Zojën e Bekueme.

Por na del një personazh tjetër në lojë, Gjoeb Bësari. Mesa duket Skënderbeu na paska edhe një armik personal, Gjoeb Bësarin nga Bërusja e malësisë së Krujës, që është kufi me Matin. Ky Gjoebi kishte për të marrë gjak prej tij për shtatë djemtë që i kishte vrarë. Ja ç’më ka treguar Beg Hyseni nga Cëdhini i malësisë së Krujës më 20 gusht 1934, në Gërma të Matit:

“Gjoeb Bësari prej B(ë)rusje ka pasë shtatë djelm e shtatë nuse. Të shtatë djelmt ia vrau Skënderbegu, se druë do të kenë qanë kunra tij. Gjoeb Bësarit i ngelën shtatë nuse në shtëpej e ai vetë kishte pas’qanë me mohe (moshë) të kalueme, shtatëdhetë vjeç.

Ene ky thotë: ‘Shtatë djelm m’i vrau Skëndërbegu e shtatë nuse më ngelën në shtëpej! Unë ç’me nejtë ma? Shkoj e ta vras Skëndërbegun’. Ene shkoi me e vra Skëndërbenë ke Rasa më Bjesh, se aty rri(n)te për vapë.

Gjoeb Bësari, kur ja mrrini ene e pa Skëndërbene, n(d)roi menimin e tha: ‘S’due me vra këtë far’Asllani, se qanka nji burrë qi s’ta ka toka, po t’i vrasi gjeraqinën.’

Ene Gjoeb Bësari tak e vrau gjeraqinën e Skëndërbegut e, si e vrau, shkoi drejt ke Skëndërbegu.

Apo më vret’ne mua, se më lae vaej rrugash! ‘Më ke lanë shtatë nuse të veja në shtëpej; ç’ka me bao un?’

Skëndërbegu i ra trej herë mas krahit e tu u qeshë i tha: ‘Hajde, Gjoeb Bësari! Të shkojsh në shtëpej e tre muaj e dhetë ditë mos t’i çojsh nuset prej shtëpesë ene ka me të baë Zoti shumë!’.

Shkoi Gjoebi në shtëpej e më shtatë nuset i fali zoti nji me shtatëzanë ene ajo me shtatëzanë lindi nji djalë, që u rrit, u martua e u ba nji mëhallë ene fisi i tij sot e kësaj dite ashtë bao gati njizet shtëpej.

Gjoeb Bësari ja fali Skëndërbegut shtatë djelmt e Skëndërbegu ja fali gjeraqinën, q’e mante Skëndërbegu si zahar q’i xhuen për të xanë zoqt e si postier që fluron e i siell lajme Skëndërbegut gjithëkahë (nga çdo vend).”

Lindja e djalit, e atij pinjolli që u rrit e u martua e u bë një mëhallë e madhe, e përmendur edhe sot në ato male, pati jehonë të thellë në popull: U mor për profeci e vërtetë dhe fjala e Fatosit: “Tre muaj e dhetë ditë mos t’i çojsh nuset prej shtëpesë!” u bë ligj, i cili mbahet sot e kësaj dite në malësi.

“Na ene sot nuk i qesim nuset pa mushë tre muaj e dhetë ditë, se kështu na e ka lanë Skëndërbegu”, më tha kallëzuesi. Të këtillë besim ka malësia për atë që përjetësoi fisi i Gjoeb Bësarit, dhe ky besim ia rriti profilin legjendar Atij që dinte të fitonte zemrat e njerëzve dhe t’i bënte për vete dhe kundërshtarët më të rreptë.

Një pikë tjetër me rëndësi e kësaj legjende është dhe puna e gjakut. Provohet çiltas se zakoni i hakmarrjes është i ngulur thellë në shpirtin e popullit, saqë besohet se dhe vetë jeta e Skënderbeut u rrezikua prej tij. Këtu, veç kësaj, na del në shesh dhe vlerësimi i gjakut e pajtimi që vjen pas tij.

Sipas kanunit të vendit, gjaku vlerësohet një për një ose, si thuhet në Malësi, gjak për gjak a kokë për kokë. Po ndërmjet Gjoeb Bësarit e Skënderbeut pajtimi i armiqësisë e vlerësimi i gjakut u bë me një mënyrë krejt origjinale: gjaku i shtatë djemve të plakut u barazua me gjakun e një shpendi, të gjeraqinës së Fatosit dhe ky barazim u gjykua si fort i drejtë.

Së fundi, paraqitja e Skënderbeut me një shpend të zgjedhur, të shkathët e të fortë, që i bindet dhe i shërben besnikërisht, na bën t’i japim këtij Kreshniku një aspekt hyjnizimi, ta përfytyrojmë cok si Zeusin, hyun e madh olimpik, që mbante edhe ky një shpend të zgjedhur, shqiponjën krahëfortë. Veç Zeusit, edhe Athena ka pasur kukuvajkën e Afërdita pëllumbat.

KULLOTA E GJOÇAJT

Më 23 gusht 1929, në mëngjes, u largova nga Macuklli dhe pas një rrugëtimi të vështirë poshtë e përpjetë grykës së thellë të Zallit të Gjoçajt, së bashku me polakun e Macukllit, i cili po më udhëhiqte, arritëm në Gjoçaj të Selitës dhe hymë në një shtëpi shpellë të një fshatari.

I zoti i shtëpisë, një plak i moçëm, na priti bujarisht. Quhej Kurt Molla dhe kishte miqësi me shoqëruesin tim, por në bisedim e sipër provokoi grindje dhe u kap me të.

E qortoi rreptësisht për padrejtësinë që u kishin punuar macukllianët dhe e demaskoi rëndë, se bjeshkën, në mal të Dejës, përmbi grykën e Zallit, ua grabitën me të pa besë e poshtërisht, me miq e dallavere që luajtën brenda në pallat të Zogut; nuk ishin të zotë t’ua merrnin burrërisht, ballë për ballë me pushkë, siç i ka hije shqiptarit.

E poshtëroi madje, se s’kanë din e iman e s’pyesin as për kujtimin e shenjt të Skënderbeut e për shenjat që ka lënë. Tapitë i nxorën me gënjeshtra, me anësi dhe hatëre, si burracakë.

Atëherë plaku, si iu ngërdhesh së fundi, e tundi dhe kokën për përçmim e fyerje, u kthye nga unë e, duke më xëgitur me gisht në sup e në kraharor, më bëri këtë pyetje, e cila ishte qortim i ashpër, sikur të isha unë fajtor përgjegjës.

– “Pse, or mek, xhuxhi i Tiranës nuk u zen besë shënjavet, çi na ka lanë Skandërbegju, ai ligjëtar i math, çi rregullonte malet e Shqypnesë me drejtësi të madhe? Ato janë prova të xhalla. Pse nuk i pranon ene fjalët çi na kanë lanë të vjetrit? Ene këto janë të vërteta.”

Po përgjigje nuk i dhashë dhe ai u egërsua e ofshante:

– “O, s’meti ma burrné e besë! Hupi (humbi) shqyptarija! … Do ta mbronim vetë të drejtën tonë, me pushkë. Nuk do të lenim kan me na prekë bjeshkën tonë, kafshatën e gojës. Por tani, ah! s’kemi pushkë. Na i mblodhi Zogu. Tani sunon ai, sunon Tirana. Sot burrat u banë gjra e t‎rimat s’bajn asnjë pare. Hupi drejtësija!”

DREJTËSIA E SKËNDERBEUT

Plaku i Gjoçajt, siç e kemi parë, ka pasur një besim shumë të madh me drejtësinë e Skënderbeut, e po përsëritim atë që kemi thënë më lart: Në zemërim e sipër kërkonte që, po të ishte e mundur, ta ngitte Atë nga varri, për t’u dhënë një shuplakë të mirë krerëve të Macukllit e mbrojtësve të tyre të mëdhenj në Tiranë që i zaptuan kullotën e katundit të tij.

SKËNDERBEU LIGJËTAR

Ky nënkapitull përmban të dhëna pozitive e realiste mbi drejtësinë, sipas së cilës janë qeverisur malësitë tona të Gegërisë deri në ditën e çlirimit.

“Xhyxhi ka çan’i Skandërbegjut, kanuni ka çan’ i Lek Dukagjinit”, thonë malësorët e me këto fjalë ata kuptojnë se përpilimi i ligjeve i përkiste princit të Mirditës, por aprovimi e zbatimi tyre i takonte Atij që udhëhiqte popullin e ishte kryetar i shtetit shqiptar të konfederuar, Skënderbeut.

Lik Basha nga Mafsheqi i Kurbinit tregon: “Kanuni i Lekës asht ligj i Skandërbegut, se Skandërbegu e ka vulosur”. Lek Dukagjini ka pasur kanunin e Skënderbeu sheriatin. (Lezhë)

Në atë periudhë jashtëzakonisht kritike, Skënderbeu përkujdesej fort për ligjet e bashkëpunonte me Lekën në përpilimin e tyre, por siç e pranojnë edhe vetë mirditasit, ka ndodhur shpesh që dhe është grindur me të e madje ka përdorur edhe forcë, duke i imponuar kundërshtarit vullnetin e vet, kur ka parë ndonjë ligj që ka qenë në dëm të popullit.

Në punën e ligjeve ka treguar kurdoherë karakter të fortë e pozitiv dhe mençuri, duke synuar të mirën e përgjithshme. Prandaj dhe populli e rregullonte jetën e vet sipas ligjeve që aprovonte Ai. Ligjet e tij, siç e theksojnë shpesh malësorët, i mbajtën malet shqiptare dhe pas vdekjes së tij.

Po shohim ç’thonë vetë fshatarët me gojën e tyre:

Raif Deda, nga Gjuri i Lurës, kur i shkova në shtëpi më 24 korrik 1958, më tha këto: “Në kohën e përparëshme ka qënë zakon me vra di veta për nji njeri të vra, si ishte i merë (mirë). Leka thotë mas së vjetrës me vra di vetë për nji njeri të merë, po Skën(d)eri (Skënderbeu) thotë me vra nji për nji. Biseduen e Leka me Skën(d)erin ….

Ene çish atëhere met si i meri e i keçi’ xhak për xhak…..

Ligjin e ka pasë Lek Dukaxhini, por merrte pjesë ene Skën(d)eri me ta, po me forcë.”

LIGJI I CUCËS SË SKËNDERBEUT

Skënderbeu, sipas besimit të Xhemal Krashit nga Arrasi i Dibrës, i dha tagër edhe së bijës që të konsakronte me një ligj origjinal e të çuditshëm, celebrimin e vajzave.

Shtegtari, kur ngjitet nga Arrasi i Dibrës për në Çidhnën e Poshtme, pak më lart Urës së Setës, takon një shkëmb më të mëngjër të rrugës, buzë zgorgjës së Setës. Ky shkëmb, i cili nuk është i madh, quhet “Kala e Skandërbegut” se ka qenë fortesë e këtij kreshniku. Në faqen e tij të përparme që e ka të prerë thikë e të lëmuar, shihet një zgavër e vogël, e gjatë lart e poshtë dhe e ngushtë anash.

Kjo zgavër i tërheq vërejtjen menjëherë shtegtarit se ngjan si myll në formën e hundës së njeriut, i futur brenda në shkëmb. Vajta apostafat e pashë më 1954-n; më çoi atje e ma tregoi një plak i vjetër, Xhemal Krashi, i cili e ka shtëpinë përmbi rrugën botore që shkon për Kukës. Zgavra, e cila qëndron ndonjë metër e gjysmë mbi truallin e rrugës, ka një legjendë të çuditshme.

Sipas kësaj, në kohën e Skënderbeut ka qenë zakon që shqiptarët i martonin vajzat shumë të vogla. Por këtë zakon të mbrapshtë e ka luftuar vajza e Skënderbeut.

Asaj i vinte keq për shoqet e saj, e iu lut të atit t’i jepte të drejtë të bënte një ligj të posaçëm për këtë gjë: të merrte masa për të ndaluar martesën e tyre në moshë të vogël. Ai menjëherë i dha tagër së bijës të vepronte si të ishte më mirë. E kuptonte dhe ai dhunën që u bëhej vajzave shqiptare.

Bija e tij pra, e veshur me fuqi hyjnore prej të atit, fap ia bëri shkëmbit fort me gishtin e dorës së saj dhe hapi atë zgavrën që ngjan me hundë njeriu; e pastaj prononcoi ligjin:

“Asnjë cucë të mos martohet pa u rritur mirë e pa ardhur të matet faqe këtij shkëmbi.”

Skënderbeu interesohej drejtpërsëdrejti për këtë ligj dhe caktoi Shasharakun prej Çidhne të Dibrës për zbatimin e tij.

Të gjithë prindërit iu bindën ligjit të saj dhe, para se të martonin cucat e tyre, i sillnin ato këtu dhe i matnin faqe shkëmbit.

Cuca që do të nisej nuse qëndronte më këmbë faqe shkëmbit, mu te gërresa, e në qoftë se hunda e saj i hynte në gërresë ose e tejkalonte atë në lartësi, atëherë ajo kishte ardhur në moshë e lejohej të martohej, përndryshe duhej të priste sa të rritej mirë.

Veprimi i bërë në këtë mënyrë ishte celebrim martese i vërtetë, një celebrim civil, që s’pranonte asnjë konsakrim fetar. Asnjë vajzë s’mund t’i shpëtonte, se, si na thotë një i Krash tjetër, Ali Isufi, vetë Skënderbeu kishte ngarkuar njeri të posaçëm për këtë shërbim, një ofiqar prej Çidhne. Për vajzat që prej natyre ishin të shkurtra, gojëdhëna popullore s’bën fjalë.

Të dëgjojmë ç’na thotë vetë me gojën e tij ky plak i vjetër, që ekzalton jo vetëm punët e Skënderbeut, por dhe të bijës së tij të denjë.

“Cuca e Skandërbeut e ka rregullue këtë façe kepi ene e ka lanë çi kur të venë në këtë moshë të fejohet, se vitte me prindt e u matte këtu. Vitte e matej këtu e fejohej. Cuca e Skandërbeut ka pasë hiqmin, ashtu çë ka rrasun dorën në façe të kepit ene e ka gri kepin fap me gishtrinjt’e saj e u ba nji e çame. Kriet e cucës çë ka m’u fejue duhet të venë rrafsh me të çamen. Vennin ku shkelte cuca kur matej tahi’ e ka gërré shiu e bora.”

Kjo legjendë më bëri përshtypje të thellë për origjinalitetin e saj, dhe kallëzuesin, i cili është një adhurues i madh i Skënderbeut, e çmoj, por nuk pajtohem me të në pikën që thotë se cucat mateshin kur do të fejoheshin. Duket se ai fejesën e merr për martesë.

Dhe në një pikë tjetër vijmë në kundërshtim me të, në atë që thotë se rrafsh me të çamen duhej të vinte kryet e vajzës. Por e vërteta është se në gërresët duhej të hynte hunda e asaj që do të nisej nuse, si më thanë mjaft veta të tjerë në Arras e në Fushë-Alie. Gjithashtu, më 7 gusht 1955 dhe një luras, në Gjur Lurje, më tha:

“Ke Lugju i Shkallës asht Kepi i Kalasë Skandërbegjut e plasa ku mateshin cucat para se m’u martue; e në qoftë se hunda i hite në të çamen, qe në moshë e lejohej m’u martue.”

Forma e gërresës, që ngjan me hundë njeriu, ka luajtur një rol të madh në imagjinatën popullore për krijimin e legjendës.

Tani, në bazë të të dhënave që kemi, po e shpjegojmë se si bëhej matja:

Vajza kandidate paraqitej atje me prindërit e saj, afrohej me fytyrë të kthyer nga faqja e shkëmbit e, duke qëndruar ashtu më këmbë, matej nëse i hynte hunda në atë të çame apo jo.

Në qoftë se i hynte ose e tejkalonte në lartësi, atëherë ajo kishte ardhur në moshë e lejohej të martohej; përndryshe duhej të priste sa të rritej. Për ato që prej natyre kanë qenë të shkurtra, gojëdhënat s’thonë gjë.

Veprimi i bërë në këtë mënyrë ishte celebrim martese, i vërtetë e civil, e ka rëndësi për ne se kryhej pa ndonjë komunitet fetar. I bindeshin të gjithë dhe s’mund t’i shpëtonte asnjë vajzë, pasi ligjin, të cilin e kishte bërë vajza e Skënderbeut, e kishte legalizuar vetë i ati dhe e kishte urdhër. Ky kishte caktuar si thamë më lart dhe Shasharakun që kryente celebrimin e martesës.

Pika matëse e shtatit të vajzave që do të martoheshin shihet edhe sot prej kujtdo që shkon rrugës për në Çidhën. Është një zgavër e vogël, e përmbledhur anash dhe e gjatë lart e poshtë dhe ngjan si një myll në formë të hundës së njeriut.

E ka gërryer apostafat vetë cuca e Skënderbeut, e cila ishte e veshur prej të atit me fuqi të mbinatyrshme. Ma tregoi dhe mua Xhemal Krashi, i cili më priti bujarisht në shtëpinë e tij, që e ka afër kalasë, dhe me gjithë pleqërinë e tij s’përtoi të më shoqëronte deri në vend.

Skendërbeu interesohej drejtpërsëdrejti për këtë ligj dhe caktoi Shasharakun prej Çidhne të Dibrës për zbatimin e tij.

Në ditët e Skënderbeut, si thamë më lart, vajzat e katundeve rreth e rrotull Çidhnës edhe të Lurës akoma nuk mund të martoheshin pa arritur një farë moshe, e cila, për çudi, nuk përcaktohej nga vitet, por nga hedhja e shtatit të tyre.

Shkëmbi i Kalasë së Çidhnës së Poshtme është vend i shenjtë për fshatarët e asaj ane, se dëshmon përpjekjet e mëdha të Fatosit për lirinë e Shqipërisë e sakrificat supreme të tij. Këtu Ai priti armikun dhe po këtu, i biri dhe vetë cuca e tij – siç na thotë Xhemal Krashi – gjetën vdekjen tragjike.

Tregohen edhe sot shenja të forta: lart shkëmbit bira ku u fut e bija dhe u varros vetë e gjallë që të mos binte në duart e turqve, që s’mundi të hofte po ra në lumë bashkë me të birin e Skënderbeut. Ky shkëmb është dhe altari ku kryhej ai celebrim origjinal e i çuditshëm i martesës së cucave.

Forma e gërresës së tij të famshme, që ngjan si hundë njeriu, i ka dhënë shumë dorë legjendës që të mbahet mend deri më sot.

Ja ç’më ka treguar më 19 janar 1962, për matjen e cucave, Ali Suf Krashi, kur më erdhi mik në shtëpinë time, në Fermën e Sukthit:

“Nja dhetë vjet para se me le unë, ka qanë zakon çi mateshin cucat faqe Kepit të Xhytetit para se m’u martue. E kam ndixhue prej babës tem. Shkote njá prej prindësh saj, nana, baba, motra a vëllai ene Shasharaku i fundit si gjyqtar. Shasharaku i parë ka qanë në kohë të Skandërbegjut, por e vranë paria e Çidhnës.”

Kjo na tregon qartë se matja e vajzave ka vazhduar deri në ditët tona.

Provohet se malësitë tona, gjatë sundimit të egër turk, jo vetëm që e ndaluan përparimin e tyre, por bënë dhe prapësim të madh, duke ndjekur rrugë të përkundërt nga ajo që ecnin, një rrugë drejt rendit fisnor të vjetër.

Mbretëronte skamja e mbi gjithçka tjetër uria ka qenë shuplaka më e rëndë, tmerr.

Zakonet e tyre u ashpërsuan fort, vetëgjyqësia dhe hakmarrja e gjakut, u acaruan keq e rrjedhimisht u fuqizua Kanuni i Lek Dukagjinit, ai ligj zakonor gjysmë barbar që, si besohet në Breg të Matës, është përpiluar shumë kohë përpara Skënderbeut, prej Lekës Madh ose të Vjetër; për shkak të grabitjeve e gjakësive brenda përbrenda fiseve, sundonte anarkia e pasiguria. I pllakosi dhe injoranca…

Marrë me shkurtime nga shkrimi i përgatitur për shtyp nga Ylian Liperi

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çmimi Kombëtar ‘’Lumo Skëndo’’

‘’Tregime të moçme shqiptare’’ nderohet me titull


Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!