MENU
klinika

Heroi kombëtar i Shqiptarëve

‘’Kruja dhe Skënderbeu’’ zhvendoset në Vlorë

13.12.2018 - 11:57

Me rastin e aktiviteteve të ndryshme për përvjetorin e 550 vjetorit të figurës më qendrore dhe të rëndësishme shqiptare, Gjergj Kastriot Skënderbeut, në Vlorë u hap një ekspozitë.

Ekspozita ‘’Kruja dhe Skëndërbeu’’ pas Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë zhvendoset në Vlorë.

Në galerinë e artit të qytetit të Vlorës kjo ekspozitë vjen e organizuar në kuadër të vitit të Skënderbeut nga Instituti i Librit dhe i Promocionit dhe Bashkia e Vlorës, nën kujdesin e kryetarit të kësaj bashkie, Dritan Leli. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në 25 dhjetor 2018.

Me nismën edhe të kryetarit të Bashkisë së Vlorës Dritan Leli, dhe nga Instituti i Librit dhe i Promocionit  ajo vjen më e plotë se kurrë në këtë qytet me vlera të mëdha historike dhe me tradita të forta patriotike e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 25 dhjetor.

Vlonjatët do të kenë mundësinë të shikojnë një gamë të gjerë të veprave të shumë piktorëve profesionistë nga e gjithë hapësira mbarëkombëtare.

Ky është një rast i rrallë për t’u shfrytëzuar për të parë një hero kombëtar ashtu si e njohin dhe ashtu si e shohin atë piktorët e talentuar.

Piktorët kanë ardhur nga të gjitha hapësirat mbarëshqiptare, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe nëpërmjet mendimeve dhe rrymave të ndryshme të të shprehurit art ata i trasmetojnë më mirë se kurrë figurën e Skëndërbeut.

Në këtë ekspozitë marrin pjesës këta artistë: Abdi Bajrami, Kujtim Buza, Sali Shijaku, Adrian Devolli, Agim Kadillari, Agim Sulaj, Anastas Kostandini, Vangjel Gjikondi, Adrian Çene, Vangjel Gjikondi, Nikolin Ivanaj, Zaim Elezi, Azem Kuçana, Genti Proko, Qamil Prizreni, Adriana Puleshi, Romeo Kallço, etj.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, vlerësoi shumë përkushtimin e piktorëve dhe veprat e tyre që sollën në Vlorë  Heroin Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeun.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi në lidhje me aktivitetin ka pohuar se përvjetori i sivjetshëm i 550-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut na risjell sërish në vëmendje figurën e tij poliedrike, si strateg dhe udhëheqës i shquar.

Drejtoresha e Institutit të Librit dhe Promocionit znj. Irena Toçi ndër të tjera tha se e veçanta e kësaj ekspozite është se marrin pjesë piktorë nga trevat mbarëshqiptare.

Por çfarë po sjell diçka të veçanta kjo ekspozitë?

Kruja vjen nëpërmjet një pamje të kolorëve të forta, të kompozicioneve të ndryshme, të objekteve dhe vendeve të ndryshme, nga kalaja, tek kalldrëmet tek njerëzit.

Por kjo i bashkëngjitet figurës së Skënderbeut si vendlindje dhe vendmbërritje si dhe vendmbështetjeje të një figure që e kalon dimensionin kombëtar. Ajo plotëson figurën kombëtare.

Ekspozita po sjell në dy paralele, qytetin e Krujës nëpërmjet shumë pikturave të veçanta dhe pikturat e ndryshme të Skënderbeut.

Interesi kryesor është figura e Skënderbeut që vjen në shumëllojshmëri dhe e përthyen pak mitin e tij të pamposhtur dhe krenar por dhe e ringre këtë mit.

Ai vjen njerëzor, me halle plot, vizionar sa dhe një njeri i thjeshtë, vjen luftarak sa dhe i menduar thellë në mendime, sa diplomat dhe njeri me flokë të bardha mendimesh për t’u shfaqur njerëzor ndër njerëzorë dhe i zakonshëm në të jashtakonshmen e vet. Ai vjen i menduar përkrah kardinalëve sa dhe luftarak.

Ai vjen në pozicionime ngjyrash shprehëse ku dallohet më shumë nga të tjerat njgjyra e kuqe dominon, por ka piktura ku dominon edhe njgjyra e bardhë, ngjyra e verdhë. vjen sipas këndvështrimeve të autorëve të tyre.

Dominon dëshira për realizmin e figurës së tij, por ka dhe impresionizëm, ka dhe dëshirë për ta futur në telajo ngjyrash të vijëzuara dhe gjeometrike. Ka dhe forma simbolike ku qëndron Skënderbeu përkrah luftëtarëve.

Në një pikturë vjen Skënderbeu vetëm si hije, me sy të fshirë duke bërë dialog me një kardinal, për të treguar se më shumë se imazhi i tij i fytyrës vlen mesazhi që do të përçojë ai në diplomaci.

Lufta është gjë e zakonshme, por Skënderbeu vjen i çmitizuar duke ngritur një mit të ri të kohës sot, atë të njerëzores, brenda njerëzores ai kishte të jashtzakonshmen e saj, mbinjerëzoren dhe kryelartësinë.

Ky është një nga mesazhet kryesore të kësaj ekspozite që vjen në Vlorë në këto ditë të ftohta më e zjarrtë se kurrë për atdhetarizëm dhe për kënaqësinë e publikut. Ajo nuk duhet humbur deri në 25 dhjetor!

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN