Aksidentet u ndodhin edhe futbollistëve të klasit si Ivan Cordoba, i cili po përballet me një situatë shumë të vështirë në jetën e tij, duke u bërë protagonist në një ngjarje me makinë në Como.
Ish-mbrojtësi i Interit ka aksidentuar me automjetin e tij tip “Range Rover” një 57-vjeçar i cili po lëvizte me motoçikletë. I aksidentuari është nisur me urgjencë në drejtim të spitalit, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Fillimisht, u mendua se 57-vjeçari kishte probleme më serioze dhe deri në rrezik për jetën, por pas kontrolleve të specializuara në spital, është konstatuar se nuk përbën rrezik.
Vetë ish-futbollisti ka ndalur dhe i ka dhënë ndihmën e pare, duke e ndihmuar pas aksidentit. Një pakujdesi e Cordobas, teksa donte të kthehej majtas, ka sjellë këtë aksident, duke qenë se nuk e ka parë motoçikletën.