MENU
klinika

1909

Letra e rrallë nga Petro Nini Luarasi për shkollën e Negovanit

29.12.2019 - 07:45

Një dokument i rrallë ka dalë në dritë së fundi pas një hulumtimi në arkivën e pasur të muzeut të Elbasanit. Letra në tri faqe me shkrim dore dhe ende me shkronjat e alfabetit të Stambollit është shkruar me aq kujdes dhe korrektësi nga vetë drejtuesi i atëhershëm i shkollës së Negovanit Petro Nini Luarasi. Nuk duhet se si kjo letër ka përfunduar në radhën e arkivave të muzeut të Elbasanit por ka gjasa të ketë qenë pjesë e bibliotekës së Lef Nosit i cili kishte një interes të shtuar për zhvillimin e arsimit dhe kishte kontakte me shoqëritë atëdhetare të asaj kohe. Gjithësesi drejtori i muzeut Kreshnik Belegu nuk di ta shpjegojë gjetjen e kësaj letre në këtë muze por thotë se ky dokument është me mjaft vlera dhe tregon edhe një herë përpjekjet e mëdha për arsimin shqip dhe historinë e shkollës shqipe të Negovanit që përbën një moment të rëndësishëm në historinë e arsimit shqip.

Me një korrektësi të admirueshme dhe rënditje të një letre zyrtare dorëshkrimi i rrallë nis:

Mesonjetoreja Shqip

Negovan

Negovan më 10 të Dimërorit 1909

Ne fort i nderçmi Zoti Kryesonjës i Shoqërisë për arrësim Shqip Diturija

Korçë

Në këtë letër lajmërohet se është hapur një mësonjëtore në gjuhën amëtare dhe se qysh një nisje kjo mësonjëtore ka mbi dyzet nxënës djem e vajza duke u shkëpurtur nga shkolla grekomane e cila është hapur tre muaj para saj.

Në këtë letër theksohet se ka një nevojë të madhe për libra që nuk gjenden në Manastir apo Follorinë. Më tej theksohet në letër se nevoja për libra është e domozdoshme pasi nxënësit janë shkëputur nga greqishtja. Në përfundim firmoset nga Pleqësia e Mësonjëtores Negovan. Kryeplaku Sotir Kristo dhe Kryesonjës I Pleqësisë Petro Nini Luarasi. Gjithashtu kjo letër mban edhe vulën e Pleqësisë së Mësonjëtores. Kjo letër dëshmon angazhimin e madh të patriotëve të kohës për mësimin e gjuhës shqipe në një zonë ku mbizotëronte greqishtja. Letra është një dëshmi e qartë e saj dhe dokumenton faktin se vetë Petro Nini Luarasi e ka drejtuar këtë shkollë pas vrasjes së Papa Kristo Negovanit deri në prag të Pavarësisë Kombëtare.

Drejtues të muzeut e konsiderojnë një dokument të rëndësishëm dhe që është rastësi shumë e bukur që ndodhet pikërisht në Elbasan në një muze të vogël por që ka dëshmuar edhe për praninë e shumë dokumenteve të tjera të rëndësishme.

Shoqëria Dituria

Shoqeria “Dituria”, me të cilën u bashkuan shumica e shqiptarëve të Bukureshtit, me kryetar Kostaq Duron, pasi miratoi programin, vijoi veprimtarinë e vet me botimin e librave, të dorëshkrimeve që vinin kryesisht nga Naimi e Samiu, të cilët jetonin ne Stamboll. Ne fillim Shoqëria “Dituria” nuk mundi të krijojë degët e saj dhe arkën e kishte pothuajse të zbrazur. Ne vitin 1888 ajo botoi tekstet “Dheshkronja” (Gjeografia) të përgatitur nga Sami Frashëri dhe “Dituritë” (Njohuri të shkencave shoqërore e natyrore) të Naim Frashërit. Me vonë ajo botoi “Rradhuashkronjën” e Jani Vretos, “Abetaren” e gjuhës shqipe në gegërisht, veprat e Naim Frashërit “Lulet’ e verës”, “Mesime” etj. Për shkak te censurës, Samiu dhe Naimi i nënshkruanin veprat e tyre vetem me inicialet, i pari S. F. dhe i dyti N. H. F. Botimet e Bukureshtit u shpërndanë në Shqipëri dhe në kolonitë shqiptare jashtë atdheut.

Një kthesë e rendësishme në veprimtarinë e Shoqërisë “Dituria” u shënua në vitin 1896, kur në krye të saj u zgjodh Pandeli Evangjeli, qe ishte mjaft aktiv dhe me aftësi drejtuese e organizative. Shoqëria “Dituria” dha ndihmesë të madhe për hapjen e shkollave shqipe në atdhe, veçanërisht në qarkun e Korçës. Ajo dergoi pa pagese tekste shkollore dhe ndihmoi ne mbajtjen e mësuesve të shqipes.

Papa Kristo Negovani

Papa Kristo Negovani lindi në Negovan më 1873. Mbas mbarimit të shkollës fillore greke të fshatit, i ati Harallambi e regjistroi në Liceun e Athinës, pasi në atë kohë merrej me karvanët e tregtisë Athinë – Selanik – Follorinë. Mirëpo në vitin e fundit ai ndërpret mësimet, pasi babanë ia vranë kusarët gjatë një prite të karvanit, në këto rrethana fillon punën si mësues për shkollat greke Negovan, Ballkamen, Leskovec, Kotor. Fshati Negovan në atë kohë ishte shumë i madh dhe numëronte mbi 500 shtëpi të banuara qind për qind me shqiptarë dhe mësuesi, dhaskali Kristo, krahas klasave në gjuhën greke, hapi edhe klasat e para e të dyta të fillores në gjuhën shqipe.

Librat e Frashëllinjëve, të Naimit, Abdylit të Samiut dhe të shkrimtarëve e patriotëve të tjerë të Rilindjes sonë Kombëtare, që botoheshin në këtë shtypshkronjë, ndezën akoma më shumë ndjenjat patriotike të mësuesit Kristo. Ato tre vjet që punoi P. Kristoja në Rumani, qenë për të një shkollë e madhe që solli një ndryshim të thellë në ndërgjegjen e tij, mbasi ato e bënë nga një njeri me arsim dhe edukatë greke, në një militant të shquar të lëvizjes patriotike. Kjo shkollë në atë kohë u vlerësua shumë nga rilindësit, pasi nuk ishte vetëm një institucion për arsimin në gjuhën shqipe, por ishte edhe si një vatër që ngrohu ndjenjat patriotike të bashkëfshatarëve për të gjithë trevën.

Pasardhës të familjes në kujtimet e tyre tregojnë momentet e vrasjes së Papa Kristo Negovanit. “Vrasjen e ka organizuar dhe e ka bërë dhespoti i Kosturit, Karavangjelisi, m′u përgjigj; më 10 shkurt të motit 1905, ai erdhi në fshat dhe asistoi në meshën që mbajti gjyshi dhe kur dëgjoi që u mbajt në gjuhën shqipe, ai u nevrikos dhe si i tërbuar iku nga fshati pa u takuar me njeri, duke thënë: “Mos e zëntë gjallë viti i ardhshëm”; dhe madje, para se të largohej, iu dha edhe urdhrin andartëve të Jan Bullakës që të vrisnin brenda ditës në fshatin tonë 25 patriotë shqiptarë, me në krye dhaskal Kriston dhe vëllain e tij Theodhosin. Vrasje e tmerrshme kjo, e cila u krye mbas dy ditëve më 12 shkurt 1905 me thika e hanxharë nga banda shoviniste greke që dhespoti i kishte sjellë siç u fol nga fshatarët nga Kreta dhe të maskuar në pyllin afër fshatit. Sipas kronistëve të asaj kohe, vrasja e mësuesit Atë Papa Kristo Negovani, preku përvajshëm gjithë kombin shqiptar dhe sidomos djalërinë kryengritëse të saj dhe gjithë poetët tanë të kohës, si Loni Logori, Asdreni, Çajupi, Siliqi etj. I kushtuan nga një elegji plot shpirt e zemër këtij martiri, që edhe sot kujtohen vargjet e tyre antologjike”.

Në këtë shkollë që ishte mjaft e rëndësishme për tu mbrojtur nga rreziku i asimilimit ka dhënë mësim dhe drejtuar edhe Petro Nini Luarasi. P. N. Luarasi para se të bëhej pjesë e kësaj shkolle kishte emigruar në SHBA nga viti 1904 deri në vitin 1908, periudhë kjo kur ishte dhe një ndër iniciatorët e shoqërisë patriotike Malli i Mëmëdheut. Ai gjithashtu punoi si drejtor dhe mësues në shkollën e para shqipe në Korçë të hapur nga motrat Qiriazi ndërsa në periudhën 1909-1911 punoi si drejtor i shkollës së Negovanit të themeluar nga Papa Kristo Negovani.