MENU
klinika

"Ne jemi armatosur!"

“Na jepni informacion, dreqi e mori”! Artistët protestë para bashkisë

30.12.2019 - 11:06

Aktivistë, aktorë dhe pjesëtarë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit janë mbledhur këtë të hënë në shenjë proteste para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar informacion lidhur me tenderin për prishjen e Teatrit Kombëtar.

Aktorët dhe aktivistët kërkojnë që të bëhet transparent tenderi, ndërsa kërcënojnë se protesta do të vijojë, derisa të dalin para drejtësisë të gjithë përgjegjësit e kësaj afere të madhe korruptive, siç e cilësojnë ata.

Mehdi Malka: Çfarë qete jemi ne, na jepni informacione, ore dreqi e mori. Unë ndihem mirë që jam pjesë e qetës. Dhënia e informacionit për tenderin është minimumi i transparencës.

Justina Aliaj: Ajo një ditë do plasë, dhe kur plas nuk besoj se jemi ne të mangët, do jenë ata. Dua që në këto festa me qenë më transparentë, me treguar kush i ka fituar ato tendera. Të klithim nuk ka nevojë, ne duam teatrin dhe shpresoj që do ja dalim mbanë.

Edmond Budina: Si mund të bëjnë këta sikur e kanë Shqipërinë si pronë të tyren. Ky shembull që japim ne sot, duhet të jetë shembull për të gjithë. Këta kanë arritur në një pikë korruptive maksimale. Ne kemi dy vjet për të ndenjur në protestë, në të ftohtë, dhe ai gjen kurajo jo vetëm të mos japë përgjigje, por edhe të fyejë. Ne do t’i tregojmë llogari, dhe nëse nuk e japin informacionin, do ndjekim hapa të tjerë.

Ne jemi një grup artistësh të armatosur me aktivistë, juristë, dhe kemi bërë një luftë institucionale prej dy vitesh, që as bashkia, as qeveria nuk kanë arritur ta bëjnë dot. Të jenë të bindur që nuk do ta lëmë këtu, por do ta çojmë deri në fund, derisa përgjegjësit e këtij tenderi korruptiv të dalin para drejtësisë. Ka plotë pjesë të shëndosha të shoqërisë shqiptare, që presin një akt si ky i yni, që njerëzit që bëjnë korrupsion, të dalin para drejtësisë.