MENU
klinika

Aktorja do të prehet në Amerikë

Ndahet nga jeta “Kotja e thashethemeve të fshatit”

18.12.2019 - 17:17

    Artistja e dashur për publikun, që të gjithë e kujtojnë si personazhi tipik i Kotes, në filmin “Përrallë nga e kaluara” ka ndërruar jetë. Lajmi i hidhur për të ndjerën Mira Minga Jupi, erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ia kushtoi jetën kukullave dhe vetëm me një rol që pati jashtë Teatrit të Kukullave, mbahet mend nga i madh e i vogël.

Mira Minga u nda sot nga jeta, por roli i Kotes është i pavdekshëm në kinematografinë shqiptare, ku me mjeshtëri realizoi figurën e gruas ngatërrestare të fshatit, që merrej me thashetheme, por ishte kaq finoke.

Mikesha e saj Shegushe Bebeti, e publikoi duke ndarë dhimbjen e madhe për aktoren që do t’i mungojë skenës. Lamtumira do t’i jepet në SHBA, jashtë atdheut të saj.

“Mira e talentuar, aq bujare, aq punëtore e zemërbardhë, u largua në Amerikë para 19 vitesh e sot largohet nga jeta por ne nuk kemi mundësi t’i japim lamtumirën e fundit”, shkruan Bebeti.

Përvec rolit të Kotes, ajo gjithashtu luajti për herë të parë Pinokun.

‘Oh sa dhimbje…oh sa lot…nuk gjej dot fjalë ta përshkruaj…sapo më erdhi lajmi nga Amerika, është ndarë nga jeta mikja ime e shtrenjtë Mira Minga Jupi, aktorja e mrekullueshme e Teatrit të Kukullave, gruaja ideale, nëna e jashtëzakonshme që do t’i mungojë aq shumë familjes. Mira e talentuar, aq bujare, aq punëtore e zemërbardhë, u largua në Amerikë para 19 vitesh e sot largohet nga jeta, e ne nuk kemi mundësi t’i japim lamtumirën e fundit…qofsh e parajsës mikja ime e mirë e dheun e huaj e paç të lehtë. Do të më mungosh aq shumë e kafenë nuk do ta pimë më bashkë nëpërmjet skype, do të kujtoj gjithmonë me shumë dashuri e dhimbje. Ngushëllime familjes e miqve që të deshën aq shumë”, ishin fjalët e mikeshës së saj Shegushe Bebeti, të cilës hidhërimin ia bën më të rëndë pamundësia për t’i dhënë lamtumirën mikes së saj.

Prej 19 vitesh, ajo jetonte në Shtetet e Bashkuara. Mira Minga ose Kotja, siç e njohim të gjithë, do t’u mungojë familjarëve, kolegëve, miqve, artit, por batutat e saj nuk do të harrohen kurrë.