MENU
klinika

"Disney" dashuri pa moshë

“Nëse mund ta ëndërrosh, atëherë mund ta bësh”

05.12.2019 - 15:36

     Mjeshtër i zbavitjes, Walt Disney farkëtoi industrinë e animacionit dhe i dha jetë botës imagjinare të parqeve zbavitëse. Qe rrëfimtari i shkëlqyer i shekullit XX, pasardhësi i Sharl Perosë, Grimit dhe Andersenit. Walt Disney ishte prodhues, regjisor, biznesmen, figurë publike dhe… projektues i hapësirave urbane. Sipërmarrës që krijoi famë botërore, një përzierje të utopisë së sinqertë dhe kapitalizmit klasik. Nga Dizneilandi i parë i Kalifornisë, në 1955, deri në projektin e tij “komuniteti i së ardhmes” në Florida… Në fund të jetës, ai lëshoi sfidën e ndërtimit të qytetit të së ardhmes. Në ditët e sotme është vështirë ta mendosh fëmijërinë pa magjinë e Dizneit. Po ashtu, është e vështirë të mendosh, se gjithçka nga një burrë i vetëm, udhëtimi i të cilit, nga një eksperimetues i dështuar në një pioner mitik, u fuqizua nga pasioni dhe këmbëngulja për të arritur ëndrrën e tij./Konica.al

 

Diznei e dinte se brenda çdo të rrituri, fshihet një fëmijë që dëshiron të ëndërrojë lirisht sërish. Pionier i sistemit të zërit, rrëfimit dhe kamerës shumëplanëshe, Walt Disney nuk ka reshtur së ripërtërirë të ardhmen duke ndërtuar një botë imagjinare. Revolucionarizoi animacionin dhe filmin në vitet 1940, edhe pse me kosto të pallogaritshme për të sjellë diçka të re, madje duke rrezikuar edhe studiot dhe reputacionin e tij. Në 1937 vuri në skenë “Borëbardha”, projekti fillimisht i tallur, por që u mirëprit nga gjithë Hollivudi. Walt Disney dëshironte ta “ndërtonte ëndrrën në realitet”. Motivet, arkitektura, ambientet zanore, strukturojnë hapësirën për të evokuar karikaturat dhe periudhat e historisë. Të shumtë janë personazhet e ngulitura në mendjet tona. Miki Maus – maskota që të krijon përshtypjen sikur përfaqëson shoqërinë e kohës së lirë, të qetë, konvencionale dhe borgjezinë e vogël. Miki pëlqehet po aq shumë sa edhe kritikohet, sikur bota të ndahej midis adhuruesve dhe kundërshtarëve të tij. Ç’fat dhe barrë e rëndë për një personazh vizatimor, autori i të cilit, Walt Disney, gjatë gjithë jetës nuk reshti së vetëmbrojturi nga bota, duke rivendosur një të ri, artificial, i cili do të ishte më pak zhgënjyes se i vërteti.

Ajo çfarë Diznei la pas, veçanërisht përmes parqeve argëtuese, është një përzierje e utopisë së sinqertë dhe kapitalizmit klasik, një bashkim edhe interesant nga sa e vlerësojmë shpesh dhe që meriton të mbështetet në trajektoren e saj. Për të ndërtuar universin e tij, u ushqye nga kujtimet e fëmijërisë. Disa janë të mira: veçanërisht kujtimet nga periudha kur i ati ishte fermer, si dhe nga marrëdhënia e tij me kafshët dhe natyrën. Shumica nuk janë shumë të lumtura: i ati, duke qenë një njeri shumë i rreptë, mbase mjaft i dhunshëm. Walt i ri duhej të punonte shumë herët, në përgjithësi kishte një fëmijëri mjaft të vështirë, me pak gëzim dhe lodra. Walt Disney filloi të vizatonte fill pas Luftës së Parë Botërore. Asokohe, animacioni ishte një risi, si rrjedhojë një kuriozitet sfidues, pavarësisht përsosmërisë teknike. Më 1928, ai krijoi së bashku me Ub Iwerks personazhin e Mickey Mouse: është vizatimi i Iwerks, por zëri i Disney, të dy së bashku përcaktojnë karakteristikat dhe karakterin e tij shoqëror. Miu i vogël fitoi sakaq një sukses të konsiderueshëm, shkruan Konica.al

Walt Disney mishëron vendin dhe epokën kur jetoi. Ai përshtatet gjithnjë me kërkesën, madje thotë se është i gatshëm të bëjë edhe gjëra mediokre nëse ato pëlqehen. Lindur më 5 dhjetor 1901, në Çikago, Walt Disney kaloi një fëmijëri monotone me të vëllanë, Roy, të shënuar nga braktisja e nënës së tyre. Punoi si shitës gazetash që në moshën dhjetë vjeç, u mor pak me teatër dhe më pas u bë hartues reklamash në një fabrikë të makinerive të fermave në Kansas City.  Do të përjetësohet si personazhi mitik dhe emblematik i “Disney”. Në vitin 1937, krijoi filmin artistik të animuar me “Borëbardha dhe shtatë xhuxhët”, personazhe të tjerë lindën paralelisht, qeni Pluto, rosaku Donald, apo Mini e dashura e Mickey, vuri në skenë “Dumbo” në 1941, më pas “Bambi” në 1942, i cili do të shënojë një gjeneratë fëmijësh. Vijon më pas me “Hirushen” në vitin 1950 etj. Shumë filma, suksesi i të cilëve vazhdon edhe sot, kanë lindur: “Bukuroshja dhe Tramp” në 1955, “Bukuroshja e fjetur” në 1959, “101 Dalmatët” në 1961. Walt Disney vdiq në 15 dhjetor 1966, pas problemeve të mushkërive për shkak të jetës së tij të gjatë si duhanpirës. Perandoria e tij i mbijeton atij, adaptimet e të cilit sjellin gjithnjë klasikët në publikun e gjerë si “Libri i xhunglës” në vitin 1967,  “Sirena e vogël” në 1989, “Aladini” në 1992, “Mbreti Luan” në 1994 ose “Tarzani” në 1999. Kompani të shumta bija kanë dalë pas Walt Disney Production, Walt Disney Pictures dhe më pas Buena vista fotografi.

Fati i pabesueshëm i të riut Walt Disney fillon me një ironi të madhe, kur pushohet nga detyra e parë si redaktor për “mungesë imagjinate”. Dështimet e njëpasnjëshme të shoqërisë së filmit të animuar dhe më pas kompanitë e ndryshme të filmave të animuar që ai u përpoq të krijonte, nuk e vunë kurrë përfund ëndrrën e tij. Historia e Walt Disney na mëson durimin, vendosmërinë, por edhe vlerën që duhet t’i veshim dështimit. Asnjë mur nuk është i pakalueshëm, goditjet e shumta të pësuara nga Walt Disney ishin vetëm trampolina për ndërtimin e ëndrrës së jetës së tij. Për gati njëqind vjet, Walt Disney Company ka arritur të ndërtojë një perandori globale. Filma të njohur në mbarë botën, një imazh i fuqishëm i të rinjve dhe të moshuarve, si dhe një strategji e shëndoshë ekonomike sigurojnë sukses dhe jetëgjatësi. Kompania “Disney” e themeluar prej tij është shndërruar në konglomeratet më të mëdha në botë për argëtim. Imagjinata dhe energjia e Diznei, humori i tij çudibërës dhe dhuntia për t’u bashkuar me trillet e shijes popullore, e frymëzuan të zhvillojë dëfrime të dashura për “fëmijë të të gjitha moshave” në të gjithë botën.

 

   Megjithëse, disa e kritikuan temën e tij shpesh të sheqerosur dhe e akuzuan për krijimin e një monopoli stilistik virtual në animacionin amerikan që dekurajoi eksperimentimin, suksesi i tij është i jashtëzakonshëm. Arritja si një krijues argëtues për një publik pothuajse të pakufizuar dhe si një tregtar shumë i zgjuar, me të drejtë mund të krahasohet me industrialistët më të suksesshëm në histori./Konica.al

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit