Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan të martën tha se Presidenti i SHBA, Donald Trump, Presidenti rus Vladimir Putin dhe Sheiku Tamim bin Hamad Al Thani i Katarit janë udhëheqësit që ai i admiron më shumë.
Në një seancë pyetje-përgjigje me studentë të universitetit, Erdogan tha se e kishte të vështirë të thoshte një udhëheqës aktual inspirues nga Evropa.
“Kur shohim Evropën, ekziston një krizë serioze udhëheqjeje, një vakum lidershipi,” tha Erdogan. “Nuk gjej guxim në veten time të them ndonjë lider shembullor në Evropë.”
Erdogan vlerësoi Trump si një drejtues që thotë gjithçka që mendon.
Erdogan gjithashtu e përshkroi Putinin se nuk kishte “axhendë të fshehur” dhe ishte i sinqertë dhe i hapur ndaj Turqisë, duke shtuar se ai beson se ai dhe lideri rus do të ishin në gjendje të sjellin paqen në Siri.
Ai e quajti liderin e Katarit një “udhëheqës të ri dhe dinamik” që ndihmon vendet e varfëra.
Erdogan ka krijuar marrëdhënie shumë të mira me Trump dhe Putin. Duke folur në samitin e NATO-s në Londër javën e kaluar, Trump tha se ai kishte një marrëdhënie të shkëlqyer me Turqinë, megjithëse ai tha që SHBA po mendonte të vendoste sanksione ndaj Ankarasë për blerjen e një sistemi mbrojtës raketash të prodhuar nga Rusia.
Erdogan dhe Putin takohen shpesh dhe po bashkëpunojnë në fushën e energjisë, mbrojtjes dhe për çështjen e Sirisë, megjithë ndryshimet e pikëpamjeve.
Erdogan përmendi Profetin Muhamed dhe themeluesin e Turqisë moderne, Mustafa Kemal Ataturk, kur u pyet për personalitetet frymëzuese nga e kaluara.
Kancelari gjerman Gerhard Schroeder dhe ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi janë ndër udhëheqësit evropian të së kaluarës që ai admiron gjithashtu.
Përkthyer dhe përshtatur nga Accocited Press/ konica.al