Tek po e lexoj librin e Pieter Judsonit «The Habsburg Empire: A New History» (Harvard, 2016), disa vërejtje të tij m’doken fort domethanëse edhe për shqiptarët kur bahet fjalë për identitetin etno-nacional.
Judson qëmton sidomos historinë ku i ka ftillesat nacionalizmi hungarez dhe ideja e nji Hungarie të mëvetësishme. Për çudi, nji ide e tillë gjethon te fisnikëria magjare në kontekstin imperial habsburg tu e pas si ideal nji mbretni hungareze.
Solidariteti klasor i nobilitetit hungarez përftoi idenë për nji Hungari të pamvarun. Ndërkohë fshatarësia ishte lojale(besnike) ndaj fronit habsburg që e shihte si kundërpeshë ndaj fisnikërisë magjare. Proto-nacionalizmi magjar, ose etnicizmi me e përdor nji term të Anthony Smithit, del asisoj që fisnikëria e gjermanizume që s’dinte as me folë hungarisht shestoi e para idenë e nji Hungarie të pamvarun.
Rasti shqiptar. Nëse flasim për identitetin etnik paramodern shqiptar ose për nji vetëdije proto-nacionaliste, atëherë specifikat e tij janë krejt të ndryshme:
1. Gurra e parë e etnicizmit arbër filloi te mileu i kamun që krijoi “atdhe në dhé të huaj”, siç ishte nji thanie arbëreshe. Stradiotë në oborre perandorake si G. Basta a Merkur Bua i mëshuen qysh asokohe idesë së nji atdheu spatial (Epiri/Maqedonia) e vijimësie diakronike (referencat për nji prejardhje nga Leka e Pirro).
2. Gurra e dytë etnicizmit arbër duhet me u kërkue tek mileu klerikal në vend e jashtë vendit. Pjetër Bogdani ban lidhje me maqedonët e epirotët (1685) njisoj si edhe Bardhi (1636), Mazreku apo Raspasani që jetonte në Budë të Hungarisë.
3. Gurra e tretë e etnicizmit arbër mugulliset tek rrethet savante ortodokse te arbëreshët në Palermo e Kozencë. Guxeta, Perrota e Keta bajnë traktate të tana për përveçësinë e arbërve qysh në fillim të shekullit 18-të.
4. Nji vetëdije proto-nacionaliste merr përpjestime n’Shqipninë e poshtme të sunduem prej Ali Pashë Tepelenës. Pavarësia de facto e zotnimeve të tij, banerët shtetnorë, doganat e politika e jashtme e pamvarun diktoi edhe nji psikozë veçantie etnike. Oborrtarë të Aliut janë të parët që filluen përpjekjet me e shkrue shqipen…