MENU
klinika

Nis zbrazja e godinave

Pas Qytetit Studenti e Bujqësorit, edhe konviktet e Mjekësisë në rrezik?

12.12.2019 - 09:31

Edhe  konviktet pranë Universitetit të Mjekësisë duket se janë në rrezik pas tërmetit të 26 nëntorit.

Ekspertizat e para janë bërë tashmë, por pa një vendim definitiv nëse këto godina janë apo jo të banueshme.

Përpara ekspertizës finale, është kërkuar që studentët të zbrazin godinat, me qëllim për të bërë një vlerësim më të detajuar në brendësi.

Është kjo arsyeja që, këtë të hënë, ku rinisi mësimi në shkolla e universitete, përfshi dhe Durrësin, Universiteti Mjekësor i Tiranës nuk i hapi dyert për studentët.

Edhe pse tashmë UMT do të duhet të dalë me një vendim për rinisjen e mësimit, përfaqësues nga Drejtoria e Rezidencës studentore nr. 2 që menaxhon konviktet në fjalë, thonë se ende nuk është thënë fjala e fundit mbi fatin e godinave, nëse ka vend për t’u riparuar apo do të shemben për t’u ribërë nga e para.

Gjithsesi, drejtoria e konvikteve të Mjekësisë është zotuar të strehojë përkohësisht studentët pranë ambienteve të tjera brenda rezidencës studentore nr. 2, me qëllim që të mos ketë më vonesa në mësime.

Kjo qendër ka nën administrim tetë godina, dy prej të cilave, ajo nr. 3 dhe 4 që ndodhen buzë rruge, janë problematike dhe rrezikojnë shembjen.