MENU
klinika

Kujtesa fenomenale fotografike

Si e sheh botën një artist autik?

16.12.2019 - 15:41

        Stephen Wiltshire është artisti i famshëm me një kujtesë fotografike të jashtëzakonshme, që i lejon atij t’i riprodhojë qytetet në çdo detaj.

Talente të natyrës së Stephen Wiltshire janë të rrallë në shoqërinë njerëzore. Aftësitë e tij nuk mund të kalojnë assesi pa u vënë re, aq më pak historia e tij, e përqendruar në një pasion të vetëm: artin. Përgjatë rrugëtimit të jetës artisti ka marrë shumë vlerësime, si për shembull, nga Margaret Thatcher, ftesë e bërë në një program të studiove të BBC-së, si dhe një nga librat e tij: “Qytetet lundruese” u konsiderua një bestseller i vërtetë për Sunday Times. Në vitin 2006, ai u emërua Anëtar i Urdhrit të Perandorisë Britanike për veprat dhe shërbimet e tij në fushën artistike. Po kush është Stephen Wiltshire? Wiltshire është një artist anglez autik, i cili falë kujtesës së tij të lindur fotografike arrin të memorizojë brenda një kohe të shkurtër tërë peizazhet urbane dhe t’i riprodhojë ato me besnikëri në çdo detaj./Konica.al

Lindur në Londër në vitin 1974, Stephen Wiltshire ishte një fëmijë asocial, i cili as fliste dhe as shoqërohej me bashkëmoshatarët, as me të rriturit. Heshtja e tij u motivua nga një formë e autizmit, që u diagnostikua në moshën 3-vjeçare. Gjatë viteve të shkollës fillore, mësuesit vunë re talentin e tij të fortë artistik: Stephen skiconte vazhdimisht dhe e bënte atë me pasion. Subjektet e tij ishin kafshët, më pas autobusët londinezë dhe së fundmi ndërtesat e qytetit të tij. Ajo çfarë binte në sy tek vizatimet ishte një vëzhgim i kujdesshëm i realitetit përreth dhe aftësia për ta riprodhuar atë në letër, duke respektuar rregullat e perspektivës.

Fjalën e parë Stephen Wiltshire e shqiptoi në moshën 9-vjeçare, kur prindërit dhe mësuesit, për ta stimuluar i hoqën letrën dhe lapsin. Artisti i vogël atëherë shqiptoi për herë të parë fjalën “letër”, për të rimarrë sërish materialin e vet.

Kur Stephen Wiltshire ishte vetëm 8-vjeç, u ngarkua me një detyrë të rëndësishme. Kryeministrja Margaret Thatcher, e mahnitur nga kujtesa e tij fotografike, e porositi që të vizatonte Katedralen Salisbury. Më vonë, djali bëri koleksionin e tij të parë: “Alfabeti i Londrës”, në të cilin për secilën shkronjë të alfabetit riprodhon një monument të Londrës. Në moshën 11-vjeçare, artisti u mikprit në një program të BBC-së, ndërsa në moshën 13-vjeçare botoi librin e tij të parë: “Vizatimet”. Gjithsesi, gjatë jetës ai shkroi edhe libra të tjerë, përfshirë “Qytetet lundruese”, i cili doli në krye të listës së bestseller të Sunday Times./Konica.al

Tablonë e tij të parë artisti e shiti për 1.500 paund kur ishte vetëm shtatë vjeç, që prej ka pasur gjithnjë kërkesa të shumta. Në karrierë nënvizon vizitën e tij të parë në New York, kur ishte 13-vjeç, një qytet që e do dhe e viziton shpesh. “Është një qytet kaq i shkëlqyeshëm, me kaq shumë rrokaqiej, është i gjallë dhe plot angazhime”.

Si ia bën për të realizuar veprat e tij? Stephen Wiltshire lëviz me helikopter për të parë qytete të ndryshme nga lart, për të mësuar përmendësh panoramën në çdo detaj dhe mandej ta riprodhojë atë. Ndonjëherë artisti skicon edhe para një audience dhe i mjafton vetëm pak kohë për të fotografuar peizazhin që ka para.

“Më bën të ndihem mirë dhe i lumtur, sepse i bën njerëzit të buzëqeshin, kur ata buzëqeshin unë buzëqesh. Më pëlqen gjithashtu të hipi në helikopter dhe të shoh peizazhin e qytetit nga një këndvështrim i përgjithshëm”./Konica.al

Çdo herë, në çdo krijim të tijin, ai i magjeps të gjithë. Gjithçka është aty: ndërtesat, rrugët, pemët, perspektiva…

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit