James A. Naismith, lindur në Almonte të SHBA, më 1861, pasi është diplomuar me nota maksimale dhe ka përfunduar edhe studimet në Bachelor për Filozofi, emërohet profesor dhe edukator i të rinjve në Springeld College të Massachusetts.
Docent i edukimit fizik, i diplomuar edhe për mjekësi, do t’i jepej një detyrë e posaçme. Doktori Luther Halsey Gulick, përgjegjës i edukimit fizik, i kërkoi Naismith që të zbulonte diçka për të argëtuar studentët.
Argëtimi do të ishte gjatë leksioneve dimërore të gjimnastikës në ambiente të mbyllura, pasi dimri i ashpër nuk lejonte shpesh zbavitjen në fushat përreth Universitetit.
“Sa më pak kontakte në këtë sport dhe sa më pak shpenzime për ekonomikë e shkollës, pasi nuk kemi buxhet”, – iu drejtua Gulick. I frymëzuar nga një lojë që bënte kur ishte fëmijë “Duck-on-a-rock”, Naismith nisi punën.
Së pari me hedhjen e gurit në formë parabole, por pasi kishte parë edhe hapat e parë të futbollit (që luhej me këmbë) apo lojërave të ndryshme azteke si Tlachtli dhe ato të fisit Maya (Pok-Ta-Pok), doli në përfundimin se duhej shpikur një sport ku fusha të ishte më e vogël se sa madhësia e lojtarëve në tërësi…
Do të ulej dhe shkruante 13 rregulla themelore të kësaj loje dhe eksperimenti i parë u organizua më 21 dhjetor 1891 me First Team (skuadra e parë) në palestrën e Kolegjit në Armory Street, Springeld.
Topi i rrumbullakët, më i madh se ai i futbollit dhe dy kosha ku duhet të hidhej topi për të bërë pikë! Ndeshja përfundoi vetëm 1-0, por u pëlqye jashtë mase!
Do të lindte Basketbolli, një sport shumë më pak popullor se futbolli, por gjithsesi, tepër i ndjekur nga masat! Edhe kokoret e futbollit amerikan në kokë do të frymëzoheshin nga Naismith, për të mbrojtur pikërisht pjesën më delikate të trupit.
Nuk është habi tashmë që basketbolli është një nga eventet më të ndjekura në Amerikë, ku NBA, por edhe garat mes universiteteve të ndiqen kaq shumë në pallatet gjigantë të sporteve.