MENU
klinika

Të shtrirë në rrugë me pranga...

Studentët kundër Antishpifjes

19.12.2019 - 14:52

Një grup studentësh protestuan simbolikisht para Kryeministrisë pas miratimit të paketës antishpifje.

Me televizorë të thyer, pranga në duar dhe etiketa me mbishkrimin gjobë, studentët e quajtën turp votimin e ligjit kundër medieve. Studentët shpjeguan simbolikën e protestës, ndërsa deklaruan se do vijojnë të protestojnë kundër kësaj nisme të qeverisë.

Një ditë pasi parlamenti miratoi me 82 vota pro paketën antishpifje, një grup studentësh protestuan para sheshit të Kryeministrisë në mënyrë simbolike kundër censurës.

Studentët kundërshtojnë atributet që ligji i jep AMA-s dhe AKEP-it mbi mediat. Fillimisht të rinjtë kanë vendosur disa televizorë në tokë, pranga dhe etike me mbishkrimin gjobë. Studentët shpjeguan simbolikën e protestës, të cilën e konsiderojnë si rezistencë rinore.

Ndonëse nuk janë pjesë e medieve, studentët shprehen se ky ligj ngjason me rikthimin e nenit 55 në kohën e diktaturës për agjitacion e propagandë, ndërsa protestën do e vijojnë edhe gjatë ditëve të tjera.

Ndonëse protesta ishte paqësore, forca të rendit dhe grupit Shqiponja qëndruan para Kryeministrisë për mbarëvajtjen e protestës.

Në përfundim të protestës që zgjati disa minuta, studentët simbolikisht hodhën në kazanët e kryeministrisë televizionet e thyer.

Protesta pati edhe nga gazetarët të mërkurën para Kuvendit para miratimit të ligjit. Paketa antishpifje ngjalli shumë debat dhe kundërshti në opinionin publik.