Sipas scan, pavarësisht se reshjet e javës së kaluar përmirësuan situatën hidrike në Kaskadën e lumit Drin, duke rritur prodhimin e energjisë, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka hapur procedurën e rradhës për blerje energjie, me qëllim plotësimin e nevojave konsumatore përgjatë periudhës 1-9 janar.
Referuar procedurës së shpallur, OSHEE kërkon të blejë rreth 80 mijë Mwh energji, ndërkohë që referuar çmimeve mesatare me të cilin ky dikaster e ka blerë energjinë gjatë muajve të fundit fatura pritet të arrijë në mbi 6 mln euro. Viti 2019 ka qenë i vështirë për operatorin e shpërndarjes për shkak të thatësirës së tejzgjatur, çka ka sjellë që për 11-mujorin fatura të shkonte në 163.5 milion euro.
Rritja e blerjeve të energjisë, ka detyruar Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike të kërkojë për herë të tretë ndryshime në afatet e likujdimit të faturave të blerjes së energjisë, ndërkohë që tashmë Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për shqyrtimin e saj, teksa një pjesë e tregëtarëve kanë kundërshtuar zgjatjen e këtij afati.