MENU
klinika

Raketat balistike

Vendet evropiane akuzojnë Iranin!

05.12.2019 - 15:06

Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kanë shprehur shqetësime se Irani ka zhvilluar një sistem raketash balistike, të afta për të bartur armë bërthamore, në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit.

Në letrën e përbashkët, të cilën të trija vendet i dërguan Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, thuhet se “zhvillimi i raketave balistike me aftësi bërthamore” është në kundërshtim me rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila miraton një marrëveshje bërthamore të vitit 2015 mes fuqive botërore dhe Iranit.

Në bazë të marrëveshjes, Teheranit i kërkohet të mos vazhdojë aktivitete që ndërlidhen me raketa të tilla.

Vendet e BE-së që e përpiluan letrën, janë tre nga gjashtë nënshkruesit e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.

Vendet tjera janë: Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina.

Në muajin maj të vitit të kaluar, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, përmes së cilës, Irani u pajtua të frenojë programin bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Uashingtoni e ka akuzuar gjithashtu Iranin se po punon për të zhvilluar raketa bërthamore, pohime këto që Teherani i mohon.

Pesë nënshkruesit e mbetur ende e mbështesin marrëveshjen.

Parisi, Londra dhe Berlini në letrën e tyre drejtuar OKB-së citojnë rezolutën e Këshillit të Sigurimit e cila i kërkon Teheranit “të mos ndërmarrë asnjë veprimtari që lidhet me raketat balistike”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN