MENU
klinika

Rama prezanton projektet

Viti 2020 ‘sytë’ nga infrastruktura dhe energjia

30.12.2019 - 20:06

“Viti 2020 duhet të shënohet si viti i një serie investimesh madhore në infrastrukturë e në energji.” Kështu u shpreh pasditen e sotme kryeministri Edi Rama në videomesazhin me anë të të cilit përcolli urimin për një 2020 sa më të begatë.

Kryeministri Edi Rama theksoi në fjalën e tij se, “tanimë jemi gati për të filluar me zbatimin e disa projekteve të mëdha, të cilat jo vetëm do të impaktojnë ekonominë e punësimin gjatë kryerjes së tyre, po edhe do të kenë një fuqi transformuese për Shqipërinë”.

“Aeroporti i ri ndërkombëtar në Vlorë, rruga e re Thumanë-Rrogozhinë, tuneli i Llogarasë, dy parqet e mëdha fotovoltaike në bregdet, janë vetëm më të mëdhatë e një vargu investimesh të reja që do të nisin gjatë vitit të ri, të cilat, së bashku me ato në vazhdim, përbëjnë në një hark vjetor volumin më të madh të investimeve në infrastrukturë, gjatë 30 vjetëve të fundit”– tha Rama.

“Presim zbulime të reja nafte, kompania Shell vijon investimet, ndërsa kompania ENI nis investimet në vitin 2020 në bllokun e Dumresë”– bëri të ditur kryeministri.

“Brenda vitit 2021 ne do të fillojmë të arkëtojmë sasi të rëndësishme në arkën e shtetit, falë zhvillimeve tejet pozitive në sektorin e naftës dekada që po nis do të sjellë një ndryshim historik për ekonominë shqiptare. I kemi forcuar ndjeshëm kontratat në favor të shtetit dhe do të luftojmë vendosmërisht në vijimësi, për një ndarje sa më të drejtë të fitimit mes kompanive dhe shtetit, duke u bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare.

Sot këto fjalë, mund të duket si fantazi festash të fundvitit! Por jo, parashikimet realiste dhe jo ato më optimiste, flasin për një dhjetëvjeçar që do të përmbysë pozitivisht parametrat ekonomikë të Shqipërisë falë zhvillimeve të reja nga nëntoka e vendit”– tha Rama.

“Jo vetëm kaq, garantoi ai, por revolucioni digjital do të shtrihet në fushën e luftës kundër informalitetit dhe përveç fiskalizimit online të transaksioneve, viti 2020 duhet të jetë edhe preludi i një transformimi rrënjësor përmes instalimit të sistemit, “Track and Trace”, “Shëno dhe Gjurmo”.

Ky sistem jo vetëm do t’i nxjerrë zbuluar më në fund, të gjitha marifetet 30 vjeçare në shitjen e naftës, pijeve alkoolike, kafesë, ujit, cigareve, medikamenteve por edhe do të forcojë shumëfish sigurinë ushqimore të këtij vendi”– tha Rama.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN