Kapet dhe ekstradohet nga Italia Ergest Avdiu i shpallur në kërkim për vrasjen Vasil Dervishaj, pronarit të një lokali të quajtur “Kafe Gimoka” në Vlorë, ngjarje e ndodhur në 4 qershor të vitit të shkuar.
Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Vlorë kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Dervishaj u vra poshtë banesës së tij tek ish-kombinati i peshkut në lagjen ”Pavarësia”. Ai u qëllua me armë zjarri në momentin kur po bëhej gati që të zbriste nga makina e tij.
Ai ishte pronar i një lokali dhe “Kafe Gimoka”-s, ndërkohë dhe një emër i njohur edhe për policinë e Vlorës, pasi kishte qenë i arrestuar më parë për trafik droge.
Vrasja e tij, duket se e ka zanafillën në prishjen e pazareve për një biznes shit-blerje makinash në Fier, konflikt i cili më pas ka agravuar deri në ngacmim. Gruaja e tij i kishte thënë se Avdiu e kishte ngacmuar disa herë me radhë, gjë që kishte sjellë konflikt mes viktimës dhe autorit. Prokuroria ka ngritur dyshime se dhe viktima Dervishaj ka pasur armë në këtë ngjarje, pasi jo shumë larg makinës së tij, është gjetur një armë kallashnikov
“Vijon bashkëpunimi i Interpol Tirana me homologët për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar për vepra të rënda penale.
Kapet në Itali dhe ekstradohet drejt Shqipërisë një shtetas i dyshuar për vrasje.
Nga Z.Q.K Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Milano, Itali, i shtetasit shqiptar E. A. alias A. M., 32 vjeç, lindur në Memaliaj.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.
Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur:
Shtetasi E. A. dyshohet se është autori i ngjarjes së ndodhur në lagjen “Pavarësia”, Vlorë, ku është vrarë me armë zjarri shtetasi V. D.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Roma, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë”, njofton policia.