MENU
klinika

Kina po e tundon...

A do ta braktisë Evropa miken e saj të vjetër?!

25.01.2020 - 12:37

Në fund të javës së kaluar, dolën lajme se tre persona po hetoheshin nga prokurorët gjermanë me dyshimin e përfshirjes në spiunazhin kinez. Burime diplomatike gjermane konfirmuan për CNN se njëri prej atyre të përfshirë mendohet të jetë një ish-diplomat i Bashkimit Evropian, i cili shërbeu në disa prej institucioneve të bllokut për disa vjet.

Kjo duket se i bën thirrje zyrtarëve në Bruksel, të cilët aktualisht po nxitojnë të nënshkruajnë një marrëveshje  investimesh me Pekinin, që të zgjohen.

Për Evropën, Kina është tërheqëse ekonomikisht. Problemi është, sistemi politik i Kinës e bën atë një vend të rrezikshëm për të patur të tilla marrëdhënie.

Për Kinën, interesi për Evropën është njëkohësisht ekonomik dhe strategjik. BE nuk është vetëm partneri më i madh tregtar i Kinës, por edhe një vend ku investitorët kinezë shohin shumë potencial. Problemi këtu është se firmat kineze që duan të investojnë në Evropë, shpesh shihen si të pasigurt.

Investimet kineze janë një pjesë thelbësore e përpjekjes së Evropës për t’u pozicionuar në mes të SHBA dhe Kinës në betejën e tyre për epërsi globale.

“BE-ja mund të dëshirojë një partneritet të ngushtë ekonomik me Kinën, por kjo nuk ka gjasa të ndalojë spiunazhin kinez”, tha Raffaello Pantucci, Ekspert i Kinës në Institutin e Shërbimeve të Mbretërisë së Bashkuar, me qendër aktualisht në Singapor.

Tani, problemi kryesor është dilema nëse gjigandi kinez i telekomunikacionit Huawei duhet të lejohet të ndërtojë rrjeti 5G në Evropë.

Edhe pse Huawei është një kompani private, ajo ka lidhje të ngushta me qeverinë kineze.

Administrata Trump ka argumentuar se Huawei paraqet një rrezik për sigurinë kombëtare, dhe se Pekini mund të përdorë produktet e kompanisë për të spiunuar kombet e tjera, pretendime që kompania i ka mohuar.

Vetëm javën e kaluar, një delegacion amerikan udhëtoi në Londër për të lobuar zyrtarët britanikë që të mos e përdorin firmën.

Zyrtarët amerikanë kanë lënë të kuptohet se  kjo do të shkaktojë shumë probleme për një marrëveshje tregtare pas Brexit, një përparësi kryesore për britanikët.

Duke pasur parasysh mundësinë që një ish-diplomat në Bruksel mund të ishte “përdorur” nga Kina, pse kryeqytetet evropiane do të mendonin akoma që të lejonin Huawein të ndikojë në të ardhmen e internetit të kontinentit?

Edhe në politikën e deklaruar zyrtarisht të BE-së për Kinën, botuar në mars të vitit të kaluar, ajo pranon se në disa fusha të politikave, Kina është një “rival sistemik” dhe se angazhimi me Kinën “kërkon një qasje fleksibile dhe pragmatike. Analistët thonë se kjo deklaratë ishte një përgjigje e fortë për të tronditur Kinën në mënyrë që ta marrë seriozisht BE-në.

Dhe ndërsa Evropa hyn në fazën pas-Brexitit dhe lufton të mbetet një fuqi e rëndësishme globale, gjithnjë e më shumë do të duhet të bëjë disa zgjedhje të vështira.

Kryesorja do të jetë sesi të sillet me Kinën dhe SHBA-në.

A do të jetë në krah mikes së saj të vjetër, SHBA? Apo mos vallë po shkon në drejtim të Kinës, një komb që përfaqëson antitezën e demokracisë perëndimore dhe që mund të përbëjë një rrezik të vërtetë?

Përkthyer dhe përshtatur nga CNN/ konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Një kundërshtar i përbashkët nuk mjafton...

Aleanca Kinë-Rusi është thjesht një iluzion…


Pazaret Putin-Trump, ja çfarë luhet në prapaskenë

Rënia e Assadit, një teori e re po qarkullon në Kremlin

Pas Serbisë, Gjermania “i vë syrin” edhe Bosnjë-Hercegovinës

Minierat e litiumit mund të hapen në gjithë Ballkanin

Investime marramendëse në Moskë!

Jeta e re luksoze e familjes Assad