MENU
klinika

Afatet dhe kriteret

AMF hap garën për kreun e ri

12.01.2020 - 16:08

Qeveria ka hapur garën për Drejtorin e përgjithshëm të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare pas mbarimit të mandatit të Ervin Koçit. Ish deputeti i PS, Ervin Koci, zëvendësoi në këtë detyrë Enkeleda Shehun, pasi kjo e fundit u shkarkua nga parlamenti.

Të interesuarit kanë afat deri më 24 janar 2020 të paraqesin dokumentet pranë Kryeministrisë. Drejtori i AMF është njëkohësisht edhe anëtar i bordit të këtij autoriteti. AMF-ja mbikëqyr tregun financiar në vend, kompanitë e sigurimeve, fondet e pensioneve private etj. Por cilat janë kriteret për të garuar për postin e kryetarit të AMF-së?

Njoftimi i plotë nga Kryeministria.

Mbështetur në nenin 6, të ligjit nr.9572, datë 3.7.2006, “Për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare”, të ndryshuar, Këshilli i Ministrave shpall njoftimin për fillimin e procesit të përzgjedhjes së kandidatit për anëtar të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, që do të mbajë funksionin e drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv, pas emërimit nga Kuvendi.

⦁ Aplikanti duhet të plotësojë këto kritere:

1. Të jetë shtetas shqiptar;
2. Të ketë përfunduar studimet universitare në një nga këto fusha: ekonomi, juridik ose të lidhur me shkencën e aktuarëve;
3. Të ketë përvojë profesionale të paktën 7-vjeçare, nga e cila, të paktën, 5 vjet në njërën nga këto fusha ose në disa prej tyre të marra së bashku:
a) financë-kontabilitet;
b) administrim i shoqërive tregtare;
c) këshillim ligjor i shoqërive tregtare;
ç) hartim legjislacioni;
d) shkencë e aktuarëve;
dh) sigurime shoqërore dhe pensione.
4. Të gëzojë integritet moral dhe profesional;
5. Të jetë i paangazhuar në funksione drejtuese partiake;
6. Të mos jetë i dënuar penalisht, me vendim gjykate të formës së prerë;
7. Të mos jetë në rrethana të konfliktit të interesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Përbën avantazh për kandidatin përmbushja edhe e kritereve të tjera plotësuese, si:

1. Studime të thelluara në fushën e financave, të administrimit të biznesit dhe drejtësisë (master ose doktoraturë);
2. Përvojë pune në fushën e sigurimeve /fondeve të pensioneve /fondeve të investimeve/bankave;
3. Përvojë drejtimi në nivele të larta;
4. Aftësi të shkëlqyera të komunikimit në të folur dhe në të shkruar të gjuhës shqipe dhe gjuhës angleze.

Nuk mund të jetë anëtar i Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare personi, i cili:

1. në tri vitet e fundit ka qenë ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura;
2. ka lidhje familjare me ndonjë subjekt që është ortak, aksionar apo anëtar i organeve drejtuese të subjekteve të mbikëqyrura;
3. në tri vitet e fundit ka qenë punonjës me kohë të pjesshme apo të plotë në subjektet e mbikëqyrura.

⦁ Dokumentet që duhet të dorëzohen janë:

1. Kërkesë për aplikim;
2. Kopje të letërnjoftimit;
3. Curriculum Vitae në gjuhën shqipe;
4. Dokumente të diplomimit (të noterizuara);
5. Dokument që të provojë vjetërsinë në një nga fushat e kërkuara (vërtetim nga institucioni/shoqëria tregtare);
6. Formular të vetëdeklarimit për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, në përputhje me ligjin nr.138/2015, të ndryshuar (të plotësuar e të firmosur);
7. Formular të aplikimit për informim, për zyrtarët përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta, në zbatim të ligjit nr.45/2015, “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” (të plotësuar e të firmosur);
8. Vetëdeklarim se interesat private janë në përputhje me kërkesat dhe dispozitat ligjore për konfliktin e interesave;
9. Vetëdeklarim se nuk është i angazhuar në funksione drejtuese partiake;
10. Dokumente të tjera në funksion të përmbushjes së kritereve të tjera plotësuese.

(Deklarimi i rremë sjell përjashtimin nga çdo procedurë e mëtejshme e konkurrimit dhe përgjegjësi penale sipas legjislacionit në fuqi).

⦁ Afati i dorëzimit të aplikimit, deri më 24 janar 2020.

⦁ Adresa: Kryeministria
Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.1, 1000
Tiranë, Shqipëri

Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm
Tel.: 00355 4 22 77 401
Inkurajojmë të gjithë të interesuarit për aplikim.