Ende pa u mbyllur sezoni në Argjentinë, Daniele De Rossi largohet nga Boca Juniors dhe nga futbolli i luajtur. Sipas kampionit të botës më 2006-n, arsyet janë familjare, por diçka tjetër po “bluhet”.
Mesfushori Italian ka marrë një ofertë nga drejtuesit e rinj të Romës në pozicion drejtuesi dhe si duket kjo e ka tunduar më shumë, pasi është një projekt afatgjatë, ndërsa në fushë duket se këmbët po e tradhëtonin.
De Rossi ka prishur me marrëveshje kontratën me klubin argjentinas pa pritur mbylljen në mars. Mediat argjentinase insistojnë se De Rossi ka kërkuar largimin pasi kishte probleme personale familjare dhe i duhej të kthehej në Itali.
Ai luajti vetëm 6 ndeshje dhe shënoi 1 gol me Boca Juniors. 36-vjeçari ishte shumë larg formës së tij më të mirë dhe trajneri nuk e aktivizoi shumë. Veterani ka vendosur t’i thotë përfundimisht “stop” futbollit të luajtur.