MENU
klinika

Ku bëhen më shpejt paratë?

Sa u duhen familjeve shqiptare për mln e parë?

02.01.2020 - 08:53

Të gjithë vendosim disa objektiva për të realizuar në çdo fillim viti, por nëse njëri prej tyre është për t’u bërë milioner, për fat të keq na duhet t’ju themi se duhet të prisni disa kohë.

Më saktë, për të pasur milionin e parë në llogari do t’ju duhet minimalisht 1 shekull e 43 vite…

Një familje me të ardhura mesatare në Shqipëri nuk mund të kursejë më shumë se 2,000 euro në vit. Sipas Anketës së të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës në Shqipëri, të ardhurat mesatare mujore për individ në Shqipëri në vitin 2018 ishin 26,144 lekë.

Një familje shqiptare përbëhet mesatarisht nga 3.7 anëtarë, çka do të thotë se të ardhurat mesatare mujore për një familje janë 96,736 lekë. Kurse shpenzimet mujore të një familje në vend, ku përfshihen shpenzimet për ushqim, veshmbathje, arsim, argëtim, banesë dhe shëndet, janë 75,935 lekë sipas Anketës së Buxhetit të Familjeve.

Duke marrë në konsideratë të ardhurat e disponueshme dhe shpenzimet që ka një familje mesatare shqiptare, Monitor ka përllogaritur se kursimi i mundshëm gjatë një viti nuk është më shumë se 249,500 lekë, apo rreth 2000 euro.

Por për sa kohë do t’i duhej kësaj familje që të bëheshin milionerë?
Nëse për çdo vit kjo familje do të kursente paratë (2000 eurot që i mbeten çdo vit pasi ka hequr shpenzimet), sipas formulës së vlerës në kohë të parasë, ku supozojmë një interes vjetor mesatar prej 1.5% dhe marrim çdo gjë tjetër të pandryshuar dhe konstante, do ta arrinte qëllimin vetëm pas gati 1 shekull e 43 vite.

Vlera në kohë e parasë na ndihmon të përllogarisim vlerën e një aseti në një kohë specifike në të ardhmen duke supozuar një normë të caktuar interesi. Në këtë rast është marrë një normë interesi mesatare midis interesit për bonot e thesarit, të konsideruara si investim në letra me vlerë pa risk dhe interesit të depozitave.

Nëse nuk do të merrnim në konsideratë vlerën në kohë të parasë, pra nëse 2000 euro do të kishin të njëjtën vlerë aktuale edhe në të ardhmen, një familje do t’i duhej mesatarisht 492 vite, apo rreth 5 shekuj.

Ku bëhen më shpejt 1 milion dollarë
Një milion dollarë bëhen më shpejt në Luksemburg, në Zvicër dhe Islandë, ku duhen mesatarisht 16 vite, sipas përllogaritjeve të The Economist.

Më pas renditen Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rreth 17 vite, Holanda dhe Danimarka me përkatësisht 19 vite. Në Austri dhe Belgjikë duhen rreth 20 vite për të bërë 1 milionë dollarë.

Në shtetin gjerman, me pagën mesatare, 1 milion dollarë mund të bëhen për 21 vite, ndërsa në Francë dhe në Angli do të duhen rreth 23 vite. Kurse në Itali, do të duhen mesatarisht 27 vite dhe Greqi 38 vite.

Më shumë kohë për të realizuar milionin e parë duhen në vendet e lindjes. Në vendet baltike duhen rreth 41 vite.
Ndër vendet anëtare të Bashkimit Europian, Rumania dhe Bullgaria kërkon më shumë kohë për të bërë një milion dollarë. Në Rumani duhen afërsisht 75 vite, ndërsa në Bullgari 1 shekull e 26 vite.

Në vend të fundit është Armenia, ku krahasuar me një vit më parë një individi do t’i duhen 2 shekuj e 39 vite nga 2 shekuj e 15 vite. /Monitor/

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN