MENU
klinika

"Shitja e pasaportave e padëshirueshme"

Holanda kundër propozimit të Ramës

21.01.2020 - 14:26

Pas Komisionit Europian edhe Holanda ka kërkuar të tregohet kujdes me nismën e qeverisë shqiptare për t’i dhuruar shtetësinë çdo investitori strategjik. Ministri i jashtëm Stef Blok thotë se mund të përbëjë rreziqe për rendin dhe sigurinë kombëtare.

Holanda e konsideron të rrezikshëm propozimin e qeverisë vitin e kaluar për t’u shitur investitorëve të huaj nënshtetësinë shqiptare kundrejt pagesës.

Nëntorin e kaluar gjatë një konference në Londër, shefi i qeverisë, Edi Rama, së bashku me homologët e Malit të Zi, Maltës dhe diplomatë të huaj pranoi potencialin e programit “shtetësi përmes investimit” që i siguron të interesuarve përfitime fiskale disavjeçare, edhe kur nuk janë qytetarë të Bashkimit Europian.

Në përgjigje të pyetjeve të parlamentarëve, ministri i jashtëm holandez, Stef Blok, hodhi dyshime se nisma nuk përputhet me legjislacionin europian.

“Në përgjithësi, qeveria jonë e konsideron shitjen e pasaportave nismë të padëshirueshme. Ka rëndësi që skemat që i japin liri lëvizjeje shtetasve nga vende të treta, të marrin parasysh risqet e sigurisë kombëtare dhe të rendit publik. Për këto arsye, Komisioni Europian ia ka bërë të qartë qeverisë shqiptare rreziqet e kësaj skeme.”

kolana e librave

I pyetur për mundësinë që Holanda të rimarrë në shqyrtim çështjen e rikthimit të vizave për shkak të skemës së nënshtetësisë, kryediplomati Blok thotë se përmbushja apo jo e kushteve për lëvizjen e lirë është gjithnjë në monitorim.

“Në muajin qershor Komisioni vlerësoi se nuk ishin përmbushur kriteret formale për pezullimin e liberalizimit të vizave. Dhe deklaratat e kryeministrit Rama nuk e ndryshojnë këtë vendim. Megjithatë Komisioni i ka informuar si Shqipërinë, edhe Malin e Zi për rreziqet që kanos skema e pasaportave.”

Rusët, kinezët dhe qytetarët e Lindjes së Mesme janë ata që blejnë më shumë pasaporta përmes kësaj skemës së përkrahur nga kryeministri Rama.

Nisma dyshohet se nxit pastrimin e parave dhe në disa prej shteteve që e aplikojnë atë, si Malta apo Qiproja, janë arrestuar ose shpallur fajtorë për mashtrim, vjedhje dhe keqpërdorim fondesh.

Komisioni Europian është shumë kritik ndaj programeve të tilla, të cilat “krijojnë një rrezik për vendet anëtare të BE-së, në veçanti ato përbëjnë rrezik për pastrim parash, korrupsion dhe evazion fiskal”.

Vera Jourova, Komisionerja e BE-së për Drejtësinë, ka bërë të qartë se “Komisioni Europian nuk do të mbështetë një skemë të përfitimit të pasaportës kundrejt pagesës”.