MENU
klinika

Vlera më e ulët në 9 muaj

Inflacioni kap ‘shifra shqetësuese’

10.01.2020 - 14:28

Gjatë muajit dhjetor të 2019, inflacioni vijoi trajektoren rënëse, duke prekur nivelin 1.1%, më i ulëti për 9 muajt e fundit. Sipas të dhënave që na siguron Instituti i Statistikave, INSTAT, inflacioni mesatar për gjithë vitin 2019 rezultoi 1.4%, në rënie të ndjeshme nga niveli 2% i vitit 2018.

Analizat e Bankës së Shqipërisë e shpjegonin rënien e inflacionit me faktorë kalimtarë të krahut të ofertës dhe sidomos me shtrirjen e efekteve të mbiçmimit të lekut në kursin e këmbimit valutor. Banka Qendrore ishte në pritje një rritje të inflacionit në gjysmën e dytë të vitit, por kjo nuk ndodhi.

Veç presioneve të dobëta inflacioniste nga jashtë, Banka e Shqipërisë pranoi se ende kërkesa e brendshme nuk ka arritur të gjenerojë një rritje të mjaftueshme të çmimeve. Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të kthehet në objektiv në fund të vitit 2021 dhe, ndërkohë, nuk ka përjashtuar një ulje të mëtejshme të normës bazë të interesit.

Për muajin dhjetor, rënia e inflacioni u ndikua kryesisht nga grupi i ushqimeve, ku rritja vjetore e çmimeve zbriti në 2.6%, nga 3.2% që kishte qenë për nëntorin. Rënia e inflacionit të këtij grupi u ndikua sidomos nga nëngrupi i perimeve, që regjistroi një rritje të çmimeve me vetëm 1.2% krahasuar me një vit më parë.

Rënie të ndjeshme gjatë dhjetorit pësoi edhe inflacioni i grupit që përfshin pijet alkoolike dhe duhanin. Inflacioni këtyre mallrave iu afrua nivelit 0 për dhjetorin, çka mund të interpretohet si një ulje e kërkesës për produktet jo të domosdoshme.

Nuk anashkalohet as ndikimi i tërmetit në muajin nëntor pasi besohet se dha një lloj ndikimi në rënien e kërkesës dhe konsumit gjatë muajit dhjetor, përfshi sezonin e festave të fundvitit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Rritet kërkesa për bizhuteri luksi

A po jeton Shqipëria në “kohën e diamantëve”?