Zhvillimi i turizmit dhe integrimi urban synojnë ta kthejnë jugun e vendit në një destinacion, “markë të veçantë”, turistike shqiptare.
Një projekt i mbështetur nga Banka Botërore që po zbatohet vitet e fundit ka në fokus krijimin e një infrastrukture marketingu sipas modeleve më të mira ndërkombëtare, që do të mbështesë zhvillimin e turizmit në vendin tonë.
Sipas njoftimit të prokurimit të publikuar në faqen e Bankës Botërore, po kërkohet një konsulent që do të japë shërbimin e zhvillimit të tregut në jug të Shqipërisë.
Shtatë detyrat kryesore të konsulentit janë:
-Krijimi i brandeve (markave) të turizmit për secilën bashki duke analizuar statusin aktual, pozicionimin dhe zbatimin e markës;
-Zhvillimi i websajteve për çdo bashki që do të bëhet në bashkëpunim me entitetet lokale të menaxhimit të turizmit dhe bashkitë për ecurinë 2 vjeçare të websajteve dhe për të monitoruar rezultatet, rifreskuar informacioni. Konsulenti do të kërkohet që të krijojë websajtet dhe t’i menaxhojë ato në mënyrë të vazhdueshme t’i monitorojë dhe të raportojë për rezultatet.
-Krijimi dhe menaxhimi i profileve në mediet sociale për çdo bashki përmes vendosjes së profileve të medieve për çdo bashki fillimisht në Facebook dhe Instragram si dhe menaxhimi i vazhdueshëm i këtyre kanaleve përgjatë dy viteve së pari në anglisht.
-Zhvillimi i fotove me cilësi të lartë dhe videove për çdo bashki si dhe zonat përreth që nuk tregojnë vetëm burimet dhe atraksionet e zonës por edhe aktivitetet që mund të eksplorohen në këtë zonë. E njëjta gjë aplikohet dhe për videot. Materialet do të vendosen në websajt, rrjete sociale si dhe do të printohen.
-Dizejnimi dhe printimi i broshurave me hartën e çdo bashkie duke mundësuar përmbajtje për turizmin në bashkëpunim me autoritetet e menaxhimit të turizmit.
-Për të paktën dy vjet mbështetje marketingu në çdo bashki dhe përgatitja e strategjisë së mirëmbajtjes së aktiviteteve përtej kohës së konsulencës si dhe promovimi i produkteve të turizmit që do të ekzekutohen në këto dy vite.
-Monitorimi i rezultateve përgjatë implementimit 2-vjeçar si dhe dorëzimi në mënyrë të rregullt i raporteve mbi rezultatet si dhe vlerësimet cilësore dhe sasiore.