Efektivë të maskuar të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, në bashkëpunim me agjentë të antidrogës, po ushtrojnë prej dy ditësh kontrolle në qytetin e Sarandës.
Policia e Vlorës dhe e Sarandës, mbështetur nga RENEA kanë vijuar kontrollet e imtësishme për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Ditën e djeshme, kontrollet u përqendruan në Selenicë, por u shtrinë deri në Sarandë.
Aksioni ka nisur , pas arrestimit të Xhevahir Jonuzit, të shumëkërkuarit për një vrasje të ndodhur në vitin 1999. RENEA pritet të kryejë të tjera arrestime të personave të shpallur në kërkim, megjithatë deri më tani operacioni nuk është konkretizuar me vënien të pranga të një të dënuari që i ka “shpëtuar” burgut.
Forcat e FNSH kanë “blinduar” gjithë Sarandën dhe po kryejnë kontrolle në akset kyçe të qytetit bregdetar në mjete të ndryshme për armë dhe drogë, për kapjen e personave të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, si dhe personave përdorues e trafikantë droge.