MENU
klinika

REL

Lavrov fajëson SHBA-të për rritjen e tensioneve në nivel botëror

18.01.2020 - 12:43

Ministri i Jashtëm në detyrë i Rusisë, Sergey Lavrov, ka fajësuar, siç tha, politikat “agresive” të SHBA-së për rritjen tensioneve në nivel botëror, si dhe i bëri thirrje Uashingtonit dhe Teheranit t’i shtensionojnë raportet ndërmjet tyre.

Duke folur në konferencën e tij vjetore për media më 17 janar, Lavrov e cilësoi rrëzimin e aeroplanit ukrainas, nga ana forcat iraniane të mbrojtjes ajrore, si një sinjal paralajmërues për të filluar qetësimin e situatës.

“Një rritje e tensioneve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara nuk do të ndihmojë në zgjidhjen e asnjëres prej krizave në rajon”, tha Lavrov. Rrëzimi i aeroplanit ukrainas në Teheran, më 8 janar, vrau 176 persona në bord.Tragjedia ndodhi disa orë pasi Irani gjuajti me raketa balistike në dy baza që strehonin forcat e SHBA-së në Irak, si përgjigje ndaj vrasjes së komandantit të lartë iranian, Qasem Soleimani, nga një sulm ajror amerikan. Autoritetet iraniane fillimisht mohuan çdo përgjegjësi, por tre ditë pas incidentit pranuan se avioni u qëllua “pa dashje”.Lavrov tha se ai nuk po bënte “justifikime për askënd”, por operacioni “i pashembullt” i SHBA-së “minoi dhe vuri në dyshim të gjitha normat e ligjit ndërkombëtar.”

Lavrov gjithashtu kritikoi Britaninë, Francën dhe Gjermaninë për nxitjen e një mekanizmi përçarës, sa i përket marrëveshjes bërthamore midis Iranit dhe fuqive globale.

Ai përmendi uljen e angazhimit të Teheranit në këtë marrëveshje, të cilën Shtetet e Bashkuara e braktisën njëanshëm në vitin 2018. Teherani ka bërë disa hapa prapa nga përmbushja e angazhimeve të tij për paktin e vitit 2015-të, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja dhe zbatoi sanksione të ashpra ndaj Iranit.

Palët e mbetura të marrëveshjes – tre fuqitë evropiane, plus Kina dhe Rusia – janë zotuar ta mbajnë “të gjallë” marrëveshjen. Por, partnerët evropianë nuk kanë qenë në gjendje t’i ofrojnë Teheranit një zgjidhje për të shitur naftën e papërpunuar jashtë vendit, pavarësisht sanksioneve të SHBA-së.

Kjo situatë ka bërë që vlera e monedhës së Iranit të bie, duke ngritur nivelet e inflacionit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarata e presidentit amerikan

“Afganistani, laborator për terroristët”

Henry Kissinger flet për konfliktin SHBA-Kinë

‘Lufta tregtare’, më keq se Lufta e Parë Botërore!