MENU
klinika

200 mln lekë më shumë se në 2018

Lejet e lindjeve/ Përfituan mbi 14 mijë gra

11.01.2020 - 14:29

Instituti i Sigurimeve Shoqërore bën me dije se ka shpenzuar 2.6 miliardë lekë për barrë-lindje gjatë periudhës Janar-Shtator 2019, ose rreth 200 milionë lekë më shumë se një vit më parë.

Kjo pagesë, korrespondon me 80% të pagës neto për gratë e punësuara që marrin leje lindje, për 6 muajt e parë, dhe më pas për periudhën tjetër reduktohet në 50%. Po ashtu kjo kategori përfiton edhe një shpërblim në rast se të dy bashkëshortët janë në marrëdhënie pune.

Në total përfitime të përkohshme për barrë-lindje kanë përfituar 14,139 gra, ku pjesa më e madhe rezultojnë të punësuara në firma private apo të vetëpunësuara në bujqësi, Pas shpenzimeve për pensione, të cilat arrijnë vlerën e 80 miliardë lekëve, ky zë përbën dhe vlerën më të lartë të shpenzimeve të Institutit.

Ndërkohë që po gjatë kësaj periudhe, janë pagur 372 milionë lekë për aftësi për paaftësi të përkohshme, apo siç quhet ndryshe Kemp, vlerë e cila sërish ka ardhur në rritje krahasuar me 2018.

Ndërsa për aksidente dhe sëmundje profesionale është paguar një shumë modeste prej 15 milionë lekësh. Në total shpenzimet e ISSH-së për 9 mujorin regjistrohen në 92 miliardë lekë.