Kanë kaluar dhjetë vjet nga vdekja e një prej shkrimtarëve më të portretizuar dhe enigmatikë të shekullit XX. Mirëpo, shpirti i Salingerit (dhe i personazheve të tij) vazhdon të drithërojë botën shpirtërore të gjithsecilit prej nesh. I famshëm jo vetëm për mënyrën e të shkruarit, por edhe për natyrën e tij të fshehtë, J. D. Salinger është autori i romanit të famshëm të vitit 1951: “Roje në thekërishten buzë greminës”. Natyra autobiografike e romanit u shndërrua në zërin e një gjenerate të tërë të rinjsh përballur me zhgënjimet e shoqërisë. Edhe pse libri u shndërrua menjëherë në bestseller, nuk e bindi Salingerin të botonte një roman tjetër./Konica.al
Në vitin 1953, në kulmin e suksesit të librit “Roje në thekërishten buzë greminës” (The Catcher in the rye), Jerome David Salinger filloi të shkëputej dalëngadalë nga bota. Në të vërtetë, ai braktisi Nju Jorkun për t’u transferuar në qytezën Cornish, Nju Hampshir. Këtu, në rrjedhën e viteve, ai do të shkëputet gjithnjë e më shumë nga jeta publike, për t’i dhënë fund një herë e mirë botimit të romaneve dhe tregimeve, edhe pse vijonte të shkruante pandërprerë. Ja, pikërisht në mungesë, lind edhe miti.
Dhjetë vjet pas vdekjes, J. D. Salinger mbetet një mister i madh. Përse shkrimtari, që, mbi të gjitha, arriti të përjetësojë vetë zemrën e adoleshencës, befas, ndaloi së botuari? Përse bëri gjithçka, për t’u fshehur? Madje, për të flet edhe Papa Piu XIII në “Papa i ri”, kur emëroi Salingerin, së bashku me figura të tjera artistike emblematike të modernitetit, nga Kubrik në Daft Punk deri te Banksy, të githë kishin të përbashkët të jetuarin ose të jetuarin në fshehtësi dhe larg syrit të botës, pikërisht në këtë privim këndvështrimi ata gjetën çelësin e suksesit në një shoqëri që është përkundrazi soditëse dhe oruelliane. Megjithëse, te Salinger kjo zbrazëti nuk duket se shfaqet më shumë në terma magjepsës, sesa te krijimi i vetëdijshëm i një miti: nga ana tjetër, mungesa salingeriane lëviz jashtë çdo dinamike praktike. Më shumë se mungesë, kemi të bëjmë me arratisje, çfarë për më tepër, është një nga fjalët që përshkruan më së miri adoleshencën, me të gjitha keqkuptimet dhe iluzionet e saj të çmendura.
Salingeri, njëlloj si Holden Kolfildi, si Freni Glas, protagonistja e “Freni dhe Zoe”, e cila është gati-gati, nëse shprehemi në gjuhë artistikë, motra e madhe e Holdenit, njëlloj si gati të gjithë personazhet e tij, ndoshta jetoi në rrethanat e një arratisjeje shumëvjeçare nga hipokrizia, që gjithashtu mund të quhet, duke e zbutur disi tonin, kompromis, çka nuk është tjetër veçse thelbi i botës së të rriturve. Bota e të rriturve është hipokrite dhe ky është fakt: kushdo që e ka lexuar “I riu Holden” e di. Poetika e Salingerit na sjell ndërmend universin e Piter Panit. Për shkrimtarin amerikan, rritja, bota e të rriturve, jo vetëm që është e shëmtuar, madje-madje e pazakontë, por është etikisht dhe ekzistencialisht është e gabuar. Gati kriminale. Bota e të rriturve është një kondensim i gënjeshtrave, të cilat duket se është e pamundur t’i kundërshtosh, nëse dikush dëshiron ta mbajë të pastër e të paprekur shëndetin mendor. Atëherë ekziston një kufi përtej të cilit arrijmë pashmangshmërisht në vulgaritetin e një jetese të rreme dhe jo të mirëfilltë. Gjithsesi, ekziston edhe e para e këtij kufiri: Salinger është në thelb një idealist. Idealizmi i tij nuk është toposi klasik romantik i magjepsjes së fëmijërisë kundër melankolisë së jetës së rritur. Kemi të bëjmë me një çështje përtej gënjeshtrës, e fashave në sy: fëmijë, adoleshentë, të cilët për Salinger janë vetëm fëmijë më të mëdhenj dhe më të zemëruar, i shohin gjërat ashtu siç janë; përkundrazi, të rriturit i takojnë, duke i shtrembëruar ato për përdorimin dhe konsumin e tyre. Personazhet e Salingerit duket sikur janë bllokuar gjithnjë e përgjithmonë në atë trampolinë, që është një harresë, një prag, por edhe një mallkim. Në të vërtetë, Holdeni dhe gjithë të tjerët vuajnë. Vuajtja e tyre është epika e një rebelimi të përgjakur. Dhe atëherë fëmijët, adoleshentët e përjetshëm, të çmendurit, pothuajse të gjithë protagonistët e Salingerit, mund të kategorizohen në këto tre tipologji – shtigje të vërteta narrative të arratisjes nga korrupsioni i botës. Çmenduria dhe fëmijëria, me të gjitha çuditë e tyre, mbeten, pikërisht sepse ato janë të pakuptueshme për racionalitetin e rremë të botës, reflektimi i vetëm i dritës për t’iu dhënë hua syve të dikujt. Diversiteti dhe rebelimi janë njësi që duhet të ruhen, sigurisht nuk janë defektet që duhet të tejkalohen. Pra, Salingeri është një situatë e rebelimit të përhershëm, i cili mund të shprehet vetëm në formën e tragjedisë: në fakt, bota përreth ekziston, gjykon dhe të mbyt.
Po ashtu, Salinger ishte veteran, njëlloj si Sejmuri. Mori pjesë në Luftën e Dytë në Evropë dhe pa me sytë e tij kampet e përqendrimit. Pra, si ta ruajmë paprekur atë shkëlqim të çmendur rinor, kur tmerri më i madh, i ekspozuar në gjithë lakuriqësinë e tij, ishte para tij? Si të pajtojmë të mirën ekstreme që acaron shpirtin e një fëmije me një spektakël kaq të hidhur, me shkatërrimin e trishtuar të botës? Salinger, duke kërkuar ekuilibrin, iku, u fsheh nga të tjerët, në një lojë të vazhdueshme fshehjeje dhe kërkimi me botën.
Krijimtaria salingeriane duhet të vihet në qendër të debatit për gjeneratën e të rinjve të sotëm, së bashku me filmat bashkëkohorë, këngë dhe romane që flasin qartazi për të. Tekste si “I riu Holden” dhe “Freni dhe Zoe” kanë një vlerë universale të pavarur nga koha. Të rinjtë e sotëm jetonë absolutisht në një gjendje salingeriane, bllokuar në një adoleshencë të përjetshme, nga e cila nuk duam të dalim dhe ku realiteti është i pamjaftueshëm për të na mbajtur të burgosur. Ëndrrat që përplasen me ashpërsinë e botës, idealja që lufton me realitetin, pastërtia me kompromisin. Një histori e vjetër ngulitur në kujtesën kolektive nga salinger: tregimet e tij nuk janë romane të formimit, siç është zakon të thuhet, si romane të mosformimit, të palëvizshmërisë ekzistenciale. Salinger mëson, në mënyrën e Piter Panit dhe për këtë arsye kundër çdo domosdoshmërie morale, kundër çdo mendimi të të rriturve dhe studiuesve, se kjo dëshirë për të ndaluar dhe kurrë nuk rritet, kjo dëshirë për refuzimin e adoleshencës, nuk është domosdoshmërisht një shenjë e papjekurisë. Në të vërtetë, a nuk është krejt e kundërta?/Konica.al