“Pak përtej vetmisë, është personi që doni”.
Dino Buxati (Dino Buzzati Traverso), është ndër shkrimtarët italianë më të frytshëm dhe më të rëndësishëm të shekullit XX. Kronist dhe korrespodent special për “Corriere della Sera”, fill pasi mbaroi universitetin, ai ishte gjithashtu piktor, dramaturg, skenograf, ideator kostumesh dhe poet./Konica.al
Në vitin 1958, fitoi çmimin “Strega” me koleksionin “Gjashtëdhjetë histori”, një përzgjedhje e tregimeve më të mira të botuara në tre koleksionet e mëparshme “Shtatë lajmëtarët” të vitit 1942, “Frika nga Sacala” e vitit 1949 dhe “Rënia e Balivernës” e vitit 1954. Autori i “Shkretëtira e Tartarëve”, “Rënia e Balivernës” dhe “Barnabo i maleve” fitoi famë falë anës së shqetësuar dhe fantastike të veprës së tij, e cila ndërton një urë të çuditshme dhe mjaft shqetësuese midis kësaj bote, tonës, dhe “tjetrës”.
Sidoqoftë, fantastikja e tij asnjëherë nuk shkëputet nga realja, ajo është e rrënjosur në banalitetin e përditshëm, që zakonisht, nuk duket të jetë i kontaminuar nga ankthi dhe i imponuar nga demonët. Me një shkrim të qartë, plot me alegori e metafora, falë teksteve surrealiste, Buzzati ka fituar emrin e “Kafka italian” dhe ishte ndër kritikët më thumbues të moralit dhe etiketimeve borgjeze. Romani “Shkretëtira e Tartarëve” konsiderohet shembulli më i lartë i narracionit ekzistencialist italian. Me gjithë lehtësinë për të shkruar dhe fantazinë karakteristike të tij, shpeshherë Buzzati është shprehur se ai ishte viktimë e një keqkuptimi të madh: “Unë jam një piktor, që, si hobi, gjatë një periudhe paksa të zgjatur, për fat të keq, kam qenë edhe shkrimtar, edhe gazetar. Nga ana tjetër, bota beson se është e kundërta dhe “nuk “mund” t’i marrin seriozisht” pikturat e mia. Gjithsesi, për të nuk kishte asnjë dallim midis pikturës dhe shkrimit, sepse që të dyja aktivitetet kishin të njëjtin qëllim: të rrëfente histori.
Të duash duhet të kuptosh
Thënia “Pak përtej vetmisë, është personi që ju doni”, mund të interpretohet në shumë mënyra. Për të dashuruar, njeriu duhet të jetë i gatshëm të braktisë zonën e rehatisë, duhet t’i hapet jetës, madje të hidhet edhe në krahët e rrezikut. Ose, për të dashuruar, së pari duhet të hapni vend në jetën dhe në menaxhimin e jetës së përditshme, për t’i dhënë vendin që i takon të dashurit apo të dashurës tuaj. Gjithashtu, mund të themi se për të dashuruar duhet të jeni të gatshëm ta kuptoni tjetrin, të braktisni siguritë që keni ndërtuar për të qëndruar lart, të mohoni atë që jeni, në mënyrë që të takojmë tjetrin në tjetërsinë dhe diversitetin e tij ose të saj, të lundroni nga porti i sinqertë i vetmisë për të na treguar të vërtetën e asaj që jemi: burra ose gra të papërsosur, të brishtë dhe të frikësuar, qenie që kërkojnë vazhdimisht të jenë të dashur.
Autori i tregimeve të shumta të shkurtra, shumica e tyre fantastike, të romaneve, të pjesëve teatrale, por edhe i poezive, tregimeve për fëmijë dhe librete operash, Buzzati vdiq më 28 janar 1971, duke lënë një vepër letrare që ishte ndër më të rëndësishmet e shekullit XIX. Nga një zhanër në tjetrin, nga metrazhi i gjatë deri te metrazhi i shkurtër, vepra e Buzzati është një magji e përhershme, një ushtrim i mrekullueshëm në ngjizjen letrare.
Nëse futeni në veprën e tij, e cila duket si një kështjellë e pushtuar nga fantazmat, duhet të dini që keni një takim me marramendjen: magjistari i përtej alpeve nuk ka asnjë të ngjashëm me shpërqendrimin, ndërthurjen e probabiliteteve, lëkundjen e sigurisë, tronditjen e themeleve të realitetit. Sa për heronjtë e parapërlqyer, ata janë të familjarë të fantazmave që nuk reshtin së kapërcyeri pasqyrat, duke hapur kat më kat portat e të mbinatyrshmes dhe fantastikes, të pazakontës dhe misterit./Konica.al