Sistemi bankar pati një mbyllje pozitive përsa i përket vitit që lamë pas, duke iu referuar treguesëve të shëndetit financiar.
Në muajin dhjetor, raporti i kredive me probleme zbriti në nivele njëshifrore për herë të parë që nga viti 2009, duke prekur nivelin 9.5%. Ndërkohë, treguesit e tjerë rregullatorë dëshmuan nivele të larta të gjendjes së kapitalizimit dhe likuiditetit të bankave.
Raporti i kapitalit aksioner kundrejt aktiveve të sistemit u rrit më tej në 10.5%. Ndërkohë, treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit, i përditësuar për herë të fundit në muajin shtator, është 18.8%, më i larti në të paktën pesë vitet e fundit.
Treguesi bazë i likuiditetit të sistemit, që mat raportin e mes aktiveve likuide dhe detyrimeve afatshkurtra qëndroi sërish pranë nivelit të 51% edhe për muajin nëntor.
Viti 2019 ishte në tërësi pozitiv për sistemin bankar, sidomos në treguesit e lidhur me aktivitetin kryesor të sistemit, huadhënien. Përjashtuar efektin e kursit të këmbimit dhe kredive të fshira, portofoli i sistemit në fund të nëntorit rezultoi në rritje me 8%, niveli më i lartë i paskrizës.
Qëndrueshmëria e kreditimit në segmentin e individëve dhe gjallërimi i huadhënies për biznesin kanë dhënë rezultate të prekshme gjatë këtij viti. Banka e Shqipërisë gjykon se përfundimi i procesit të ristrukturimit të sistemit bankar, që e uli numrin total të bankave në 12, ka ndikuar pozitivisht ofertën për kredi.
Në mbyllje të 2019-ës, konkretisht në muajin nëntor, portofoli i kredisë kishte vlerën e 568 miliardë lekëve, ose të shprehura në euro, rreth 4.6 miliardë eurove.