MENU
klinika

Rrëfimi i kampionit

Boksieri Wilder: Kam menduar vetëvrasjen

04.02.2020 - 13:55

Sporti është konsideruar shpesh si shpëtimtar i shumë jetëve dhe një gjë e tillë ka ndodhur edhe me kampionin e botës të peshave të rënda në boks, Deontay Wilder.

Në një intervistë për median britanike, BT Sport, Wilder pranoi se pasi u bë baba për herë të parë mendoi të vriste veten. Ai zbuloi se lindja e vajzës së tij me çrregullime shëndetësore ishte një moment i vështirë aq sa kishte rënë në depresion.

“Momenti më i vështirë i jetës sime ka qenë shumë vite më parë. Në vitin 2005 unë u bëra baba për herë të parë dhe vajza lindi me çrregullime në shtyllën kurrizore.

Por në vitin 2006 gjendja u përkeqësua shumë dhe rashë në depresion. Kjo më bëri të mendoj dhe vetëvrasjen. Isha vetëm 19-vjeç dhe lindja e një fëmije me çrregullime është një sfidë në vete. Pas kësaj u mora me boks dhe sporti më riktheu në rrugën e duhur” – tha Wilder.

Tre vite pasi u rikthye në ring, Wilder mori pjesë në Lojërat Olimpike të Pekinit, duke fituar medalje bronzi. U shpall kampion i titullit WBC për peshat e rënda më 1 dhjetor 2018 në Las Vegas, ku mposhti me pikë Tyson Fury, rivalin që do të ketë sërish përballë më 22 shkurt të këtij viti.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN